Lajme

Pas shtrenjtimit të energjisë, reagon LDK: A është ky ndryshimi që pushteti premtoi?


Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka reaguar pas shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15 përqind, duke e cilësuar këtë vendim të dëmshëm dhe se do të varfërojë qytetarët.

“Rritja e çmimit të energjisë për të dytën herë, përveçse e padrejtë është edhe e papërballueshme për qytetarët tanë. Paaftësia qeverisëse dhe mosveprimi i saj ndaj krizave të njëpasnjëshme po iu kushton atyre”, thuhet në postimin e LDK-së.

Ndërkaq, përveç kritikës, duke parë vendimet e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, në relacion me premtimet që i ka bërë ata shtruan edhe një pyetje.

“A është ky ndryshimi që pushteti premtoi?”, pyeten nga partia opozitare.

Ndryshe, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e së enjtes, ka aprovuar planin për rritjen e tarifave të çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pike ndërsa askush nga anëtarët e bordit nuk ishte kundër.

Në anën tjetër kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, tha se rritja e çmimit të energjisë po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, sipas tij, kostot do të jenë edhe më të larta.

Sipas tarifave të reja të energjisë elektrike konsumatorët shtëpiak të cilët do të konsumojnë deri në 300 kilovatë për orë, do të kenë rritje prej 2 euro e 88 centë.

“Për ata që harxhojnë 450 kilovatë orë, rritja do të jetë 4 euro e 18 centë. Për ata që harxhojnë 600 kilovatë orë, rritja do të jetë 5 euro e 49 centë. Për ata që harxhojnë 800 kilovatë orë rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kilovatë për orë, rritja do të jetë 10 euro e 51 centë. Për ata që harxhojnë 1 mijë e 200 kilovatë për orë, rritja do të jetë 13 euro e 80 centë.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga muaji prill i këtij viti dhe rritja do të jetë e vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

ZRRE-ja, në shkurt të vitit të kaluar kishte miratuar rritjen e tarifave.

Nga ai vendim u prekën konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovat në orë.

Kjo kategori e konsumatorëve u faturua me 12.5 cent për kilovat në tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Mbledhja e Bordit të ZRRE-së

Ndryshe Zyra e Presidentes së Kosovës e kishte pritur me shqetësim mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë në Kosovë, ndërsa kishte kërkuar nga ZRrE-ja që mundësisht të shmanget një vendim i tillë.

E para e vendit kishte rekomanduar që tarifat të mos ndryshohen për shkak të normës së lartë të inflacionit dhe që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes pakos 75 milionëshe të BE-së.

“Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lart, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”.

Derisa Qeveria e Kosovës kishte sugjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara, e të përshtaten ato për bizneset, sidomos ato të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore