Lajme

Pas një muaji pa bord në ShSKUK, Vitia emëron bordin e ri


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në mbledhjen Qeverisë së Kosovës të mërkurën ka emëruar bordin e ri të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), pas një muaji mungesë të këtij bordi.

Vitia ka sqaruar se meqenëse bordit të SHSKUK-së i ka skaduar mandati, ministria e Shëndetësisë “e  konsideron si të domosdoshme emërimin e bordit të ri, i cili është përgjegjës për përformancën profesionale të SHSKUK-së”.

“Në bazë të nenit 64 është përcaktuar që Qeveria e Kosovës e emëron bordin drejtues të SHSKUK, bordi drejtues është organit më i lartë vendimmarrës i SHSKUK-së dhe përbëhet nga 7 anëtarë”.

“Në përbërje të këtij bordi është: doktor Dren Bushnjaku si përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, doktoreshë Tetore Olloni si përfaqësuese nga Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës, doktorësh Rrezarta Bajrami nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, doktor Besim Demolli nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajit, doktorësh Vjollca Kadolli nga Shërbimi e kujdesit parësor shëndetësor dhe doktor Naim Bardiqi si përfaqësues nga ministria e Shëndetësisë”.

“Natyrisht që në bord është edhe një ekspert i menaxhimit shëndetësorë i zgjedhur në bazë të konkursit publik, i propozoj Qeverisë që të miratoj këtë bord”.

Pas propozimit të Vitisë, Qeveria miratoi bordin e ri të SHSKUK-së.

Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i kishte skaduar mandati më datë 27 mars 2023.

Bordi i cili është emëruar më datën 27.03.2020, e të cilit i kishte skaduar mandati, ka qenë me këtë përbërje: Aida Rexhepi, Agreta Gecaj-Gashi, Vjollca Kodolli, Xhevat Jakupi, Enver Gashi dhe një përfaqësues i MSH-së.

Opozita vazhdimisht e kishte kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për mosemërimin e bordit të ri të SHSKUK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore