Kosova

Pas Kosovës, Lajçak viziton Serbinë në fundjavë


Pas përfundimit të vizitës tre ditore në Kosovë, emisari special për dialogun i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pritet të vizitojë Serbinë në fund të kësaj jave.

Qëllimi i kësaj vizite është të ruajë momentumin e arritur në dialog prej marrëveshjes së 21 qershorit për energjinë të nënshkruar në Bruksel mes kryenegociatorëve, respektivisht Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit.

Sipas burimeve të mediumit serb Tanjug, shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Josep Borrell, kishte thënë se ai po përgatitej të priste zyrtarët e lartë të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për një raund tjetër të negociatave përpara se institucionet e BE-së të fillojnë pushimet verore.

Këto burime shtuan se Borrell kishte folur me Vuçiç-in dhe Kurtin në telefon javën e kaluar dhe se të gjitha përpjekjet e BE-së, përfshirë vizitën e Lajçakut, u përqendruan në “progresin në dialog”.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, diplomati sllovak do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, por edhe me liderët e partive kryesore opozitare.

“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor. Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ai do flas para gazetarëve të mekurën e 29 qershorit.

“Fjalimi për media i emisarit Lajçak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”.

Lajçak, gjatë vizitës dy-ditore në Kosovë, do ta vizitojë qytetin e Prizrenit dhe veriun e Kosovës.

Më 16 qershor, Lajçak pati thënë se punon për ta organizuar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç para pushimeve të verës.

“Kemi disa dokumente në fazë të avancuar të përgatitjes dhe unë po planifikoj të përgatisë takimin e ardhshëm mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti në Bruksel së shpejti dhe po punojmë mbi të”, tha Lajçak në Forumin e Prespës.

Lajçak ka theksuar se “gjëja e dytë që ne po bëjmë është se po i adresojmë çështjet aktuale, problemet e krijuara siç ishte problemi me targat e që krijoi kriza serioze në shtator”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore