Kosova

Pas intervistimit Policia e Kosovës liron dy politikanët serbë


Momenti i arrestimit të Alleksandar Arsenijeviç-it dhe Stefan Vellkoviç-it

Alleksandar Arsenijeviç dhe Stefan Vellkoviç nga partia Demokracia Serbe, janë liruar pas intervistimit nga ana e Policisë së Kosovës.

Politikanët serbë u arrestuan të enjten e 8 gushtit për pengim të punëtorëve të Mitrovicës së Veriut, të cilët ishin duke lyer një mur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Punëtorët në fjalë, sipas Policisë së Kosovës, ishin duke e pastruar murin ku ishin vizatuar disa grafite me mbishkrime nacionaliste “që krijojnë nxitje dhe urrejtje si ‘severna brigada’”.

Punëtorët, sipas Policisë, janë penguar pikërisht nga Arsenijeviç e Vellkoviç, andaj ndërhyja e tyre ka qenë e detyrueshme.

“Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga ana e Policisë së Kosovës.

“Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”, shton tutje Policia.

Një grup i qytetarëve nga komuniteti serb protestuan para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut për shkak të arrestimit të dy politikanëve serbë nga Kosova.

Në mesin e protestuesve kishte edhe pjesëtarë të Listës Serbe, të cilët nëpërmjet një komunikate për media, në platformën sociale në Facebook, ndërsa dënuan arrestimin, kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Ne kërkojmë që të gjithë serbët e arrestuar padrejtësisht të lirohen menjëherë dhe të mos arrestohen dhe ‘keqtrajtohen nga regjimi i Kurtit’”, shkruan në komunikatën për media e lëshuar nga Lista Serbe.

Lista Serbe, në reagim, pretendoi gjithashtu se Kushtetua dhe Ligjet e Kosovës “garantojnë të drejtën e ekspozimit të simboleve kombëtare të të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

“Heqja e flamurit serb është dëshmi e serbofobisë së instaluar nga ‘regjimi i Kurtit’ dhe hipokrizia e ‘kryetarit të rremë’ të Mitrovicës së Veriut”, pretendoi ndër të tjera Lista Serbe.

Me këtë arrestim, siç pretendoi më tej Lista Serbe, autoritetet kosovare “kanë kryer drejtpërdrejt veprën penale të nxitjes së urrejtjes racore, kombëtare dhe fetare”.

“Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të veprojë urgjentisht dhe ta ndalojë Kurtin dhe përpjekjet e tij për dëbimin e serbëve”.

Arrestimi i Arsenijeviçit dhe Vellkoviçit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut u mbajt një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Qeveria e Kosovës, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Protestë në Veri – kërkohet lirimi i 2 politikanëve serbë  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore