Lajme

Pas incidentit me Ministrin Peci, Musliu paralajmëron padi ndaj tij


Ganimete Musli

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu pas incidentit që ka pasur me Ministrinë e Bujqësisë, Faton Peci në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se do e padis Ministrin Peci për shpifje.

Musliu në konferencë ka sqaruar edhe arsyet se pse ka ardhur deri tek incidenti me Ministrin Peci.

“Nga data 25 nëntor kam kërkuar sqarim nga Peci për të ditur se çka ka ndodhur në thirrjen për grante që është bërë në janar të vitit 2021 dhe ka përfunduar në mars të këtij viti, deri më 25 nëntor bujqit e fermerët kanë qenë në terr informativ”, ka thënë Musliu.

“Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës ministri u deklarua se thirrja është anuluar, kur e kam pyetur pse nuk janë njoftuar bujqit, ministri e ka anashkaluar pyetjen time dhe nuk është përgjigjur”, ka shtuar ajo.

Sipas saj e gjithë konflikti me ministrin Peci është si rezultat i jo transparencës së këtij të fundit në raport me anulimin e granteve për bujqit dhe fermerët për vitin 2021.

“Në Kuvend kam protokolluar pyetjen me shkrim drejtuar ministrit. Ministri pyetjen e ka marrë më 3 dhjetor, pasi e ka marrë pyetjen ministri më 7 dhjetor e ka publiku vendimin për anulim e granteve”, ka shtuar ajo.

“Unë kam bërë pyetje konkrete. Kur i kam bërë pyetje ministri ka filluar të më ofendojë e me fyejë që gjoja unë personalisht kam marrë grante nga Ministria e Bujqësisë”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim ku ka raportuar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, gjatë ditës së martë ka eskaluar debati mes tij dhe deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë, Ganimete Musliu, e cila është edhe anëtare e këtij komisioni.

Në diskutimin në mes të Ministrit Peci dhe deputetes Musliu, kjo e fundit është ngritur nga tavolina duke e quajtur ministrin “rrugaç”, derisa e ka gjuajtur me ujë atë.

Kjo situatë ka bërë që mbledhja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të ndërpritet.

Situata në mes të tyre është acaruar pas akuzave që ministrit Peci ka bërë në drejtim të deputetes Musliu.

“Ti e përfaqëson krimin. Ajo pjesa e krimit në Ministrisë së Bujqësisë ka një mbështetje politike dhe kjo pi bije që je ti ajo zyrtare që je në prapavijë”, ka thënë Peci.

“Ndash më gjuani me ujë e ndash me plumba, nuk ka birë nëne që e ndal Faton Pecin”, iu është kundërpërgjigjur ministri pas hedhjes më ujë nga deputetja Musliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore