Sport

Pas eliminimit nga Champions-i, Barcelona nxjerr disa futbollistë në shitje


Të mërkurën e 8 dhjetorit, pas 20 vitesh, Barcelona u eliminua nga faza e grupeve në Champions League.

Pas humbjes 3-0 ndaj Bayern Munich, katalunasit do të luajnë pjesën tjetër të sezonit në Europa League.

Fillimisht ata do të jenë pjesë e play-off, ku do të luajnë me një nga skuadrat e dyta në Europa League dhe pastaj nëse arrijnë fitoren do të jenë pjesë e fazës me eliminim.

Mirëpo, humbja e mbrëmshme, për Barcelonën, nuk ka vetëm efekt turpërues.

Katalunasit kanë humbur të paktën 15 milionë euro pas dështimit që të arrijnë në fazën tjetër të Champions League.

Me gjendjen e dobët financiare, ata janë me bilanc minus 13 milionë euro kur po i afrohen merkatos së janarit.

Ata kanë nxjerrur në shitje tri futbollistë, që në një mënyrë apo tjetrën nuk priteshin që të ishin në listën e lojtarëve që do të largohen.

Bëhet fjalë për Ter Stegen, Frenkie De Jong dhe Sergino Dest.

Të tre këta konsideroheshin të paprekshëm në fillim të sezonit, mirëpo tani gjithçka ndryshuar.

Blaugranët kanë nevojë për të ardhura, dhe kjo është mënyra e vetme se si ata mund t’i risin ato në një kohë të shkurt.

Madje, katalunasit edhe iu kanë vënë çmimin këtyre tri futbollistëve.

Sergino Dest, mbrojtësi i djathë i ShBA-ve, vlerësohet 25 milionë euro.

Marc Andre ter Stegen në anën tjetër vlerësohet nga katalunasit me një vlerë prej 40 milionë eurosh.

Kurse, nëse dikush dëshiron të sigurojë shërbimet e fantazistit Frenkie de Jong, ata duhet të paguajnë 80 milionë euro.

Këta tri emra, me shumë mundësi po kalojnë muajt e fundit në “Camp Nou”, me klubin blaugran që po kalon periudhën më të vështirë në shekullin 21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore