Muzikë

Pas 22 vitesh Kënga Magjike ndërron lokacion


Kanë filluar netët gjysmëfinale të edicionit të 22-të, të “Këngës Magjike”.

Për shkak të pandemisë për herë të parë në historinë e festivalit, ai nuk është mbajtur në “Pallatin e Koncerteve”.

“Pas 22 vitesh sonte ndërrojmë destinacionin. Është e trishtueshme të shohësh dritat e shtëpisë fikur sepse ky pallat ka qenë, dhe është shtëpia jonë magjike, por pandemia fiku dritat e botës, por mbi ne, na mbylli derën e shtëpisë përkohësisht, por ne kemi tjetër shtëpi, të ëmblën shtëpi, TV Klan”, u shpreh drejtuesi i programit Ardit Gjebrea.

Në krah me Ardit Gjebrea-n, prezantoi edhe artistja Marsela Çibukaj.

Juria e festivalit ishte e përbërë nga, Enkel Demi, Jonida Maliqi, Arben Skenderi, Markelian Kapidani, dhe Kozeta Kurti.

Në natën e parë të gjysmëfinales kanë përformuar 15 artistë “Big”, dhe tetë këngëtarë të kategorisë “New Artist”.

Festivali ka shfaqur, edhe interesin e artistëve nga Evropa, tetë artistë “Big”, të vendeve të ndryshme kanë përformuar nga Greqia, Italia, Kroacia, Spanja, Belgjika dhe Gjeorgjia, në natën e parë të gjysmëfinales.

Mbrëmja u hap me këngën “A do ma zgjasësh dorën”, e cila u përformua nga Bruno, Fifi, dhe pjesmarrësit e tjerë.

Tetë këngëtarë të rinj u ngjitën për herë të parë në skenë, Martina Sereqi, Andrea Vathaj, Kras, Urban Band dhe Niki, ishin artistët e rinj që arritën të merrnin votat e jurisë.

Ndonëse jo fizikisht, e ftuar speciale e kësaj nate të parë gjysmëfinale në “Kënga Magjike”, ishte prezantuesja e famshme italiane Simona Ventura. Ajo ishte në mesin e personazheve të famshëm ndërkombëtarë që prezantonin artistë Big International.

Gjebrea e falenderoi publikisht, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, i cili e kishte bërë të mundur këtë.

“Ka thënë njëherë Kryeministri Rama, o e sjell Simona Venturën o s’ka. Ja ku e kemi, ajo do të prezantojë artisten italiane Eliza G”, plotësoi Gjebrea.

Nëpërmjet një videoregjistrimi, Ventura foli për televisionin shqiptarë, Tv Klan.

“Përshëndetje Jam Simona Ventura, jam këtu për të mbështetur Eliza G. Ajo ka qenë gjysmëfinaliste në programin “Voice of Italy”, të drejtuar nga unë dhe më kujtohet zëri dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm. Ajo është gjithashtu fituese e festivalit “Cerbul De Aur”, i zhvilluar në Rumani”.

“Për herë të parë prezantoj tek ju, miq shqiptarë, që ju kujtoj përherë me shumë dashuri, në këtë festival, në kategorinë Big International me këngën “A un paso del deserto”. Forca Eliza! Pas grupit Maneskin, je ti”, ka thënë Ventura.

Xhezika Polo, Klinti Collaku, Gerta Mahmutaj, Aurel Thellimi, Marsela Cibukaj, Fifi, Bruno, Semi Jaupaj, Eliza G, janë disa prej artistëve që u ngjitën në natën ë parë të gjysmëfinales.

Nata e dytë e gjysmëfinales e “Këngës Magjike” do të mbahet të enjte mbrëma.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore