Sport

Partizani thyen Kukësin dhe kërcënon Vllazninë


Partizani i Ilir Dajës ka mposhtur Kukësin e Mirel Josës me rezultatin 1-2 në “Elbasan Arena”. Për demat shënuan Eraldo Çinari dhe Valentino Murataj. Për verilindorët shënoi Vesel Limaj.

Në ndeshjen e fundit të javës së 20 të Kategorisë Superiore, Partizani ishte më i qartë dhe arriti të triumfonte, duke ndjekur Vllazninë e vendit të parë që barazoi në Korçë përballë Skënderbeut 1-1, më herët.

Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, pikërisht në të 63’, Çinari shënoi për 0-1.

Murataj do të shënonte në të 89’ për 0-2, por goli u shoqërua me protesta nga vendasit, për të cilët goli i Muratajt ishte anti-fair play.

Por çfarë ndodhi?

Çinari merr një top në zonën e Kukësit dhe godet drejt portës. Topi përplaset në trupin e një prej mbrojtësve të Kukësit dhe ky i fundit në tentativë për të larguar topin nga zona, nuk mundet për shkak dëmtimi duke u shtirë në tokë. Murataj i ndodhur përballë atij topi vakant nuk e pati të vështirë të shënonte për 0-2.

Partizani në shenjë fair play vendosi që të t’i hapte rrugën Kukësit për të shënuar gol. Limaj merr topin nga qendra e fushës dhe shënon për 1-2, ndërkohë që lojtarët e Partizanit qëndrojnë statikë. Një gjest që nuk shikohet shpesh në futbollin shqiptar. Goli i Limajt vulosi dhe shifrat përfundimtare të takimit.

Kategoria Superiore pas 20 javësh të luajtura udhëhiqet nga Vllaznia me 41 pikë, e cila ndiqet nga Partizani me 37 pikë, Teuta dhe Laçi me nga 36 pikë, Kukësi me 29 pikë, Tirana me 26 pikë, Kastrioti me 24 pikë, Bylisi me 15 pikë, Skënderbeu me 13 pikë dhe në vend të fundit Apolonia me po 13 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore