
Skuadra e Partizanit shpallet kampion i këtij edicioni në Kategorinë Superiore, pas katër vitesh pritje.
“Demat” u shpallën kampionë të Shqipërisë për herë të 17-të, duke e mposhtur në ndeshjen e fundit Teutën me rezultat 2:0. Goli i vetëm në pjesën e parë u shënua nga Arinaldo Rrapaj në minutën e 38-të.
Ndërkohë, krejt në fund të ndeshjes, kryeqytetasit shënuan edhe një herë me anë të Tedi Carës.
Me këtë sukses, Partizani e siguron titullin me 67 pikë, aq sa ka edhe Tirana e vendit të dytë, që mbetet nënkampion dhe do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës në edicionin e ardhshëm.

Duke u bazuar te rregullorja e klasifikimit dhe pikërisht te kriteri i parë i saj, ku merren parasysh ndeshjet direkte, të kuqtë kanë fituar dy herë (0:1 dhe 2:0), ndërsa Tirana vetëm një herë (0:2). Derbi i fundit mes tyre është mbyllur në barazim. Ky avantazh në ndeshjet direkte i jep titullin Partizanit.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Tirana fitoi me rezultat 1:2 në udhëtim te Erzeni.
Rimal Haxhiu e hapi ndeshjen për Tiranën në minutën e 37-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë vendasit barazuan me anë të Ilirid Ademit.
Ndërsa në minutat shtesë të ndeshjes, Kristal Abazaj shënoi për rezultatin përfundimtar 1:2.

Pavarësisht se humbi, Erzeni arriti ta sigurojë zonën e barazhit dhe do të përballet me skuadrën e Korabit.
Fitore të rëndësishme në xhiron e fundit arriti edhe Vllaznia, të cilët mposhtën në udhëtim Bylisin me rezultat 1:2.
Falë këtij suksesi, skuadra shkodrane do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës nga vendi i katërt, derisa vendi i tretë ishte siguruar më herët nga Egnatia që u mposhtën minimalisht në shtëpi nga Kukësi.

Ndërsa, me humbjen ndaj Vllaznisë, Bylis bie nga elita e futbollit shqiptar, së bashku me Kastriotin që u mposhtën me rezultat 3:0 nga Laçi.
Pra, Partizani shpallet kampion i këtij edicioni në Shqipëri dhe do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Tirana, Egnatia dhe Vllaznia luajnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ndërsa, Skënderbeu dhe Dinamo e Tiranës janë ngjitur në Kategorinë Superiore.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Dita më krenare në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, thotë Rama
-
Diplomacia amerikane “distancohet” sërish nga Berisha: Nxisim aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet me figura të tilla
-
Princi i Kurorës thotë se Arabia Saudite po i afrohet normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin
-
Beteja e LDK-së për zbutjen e “polarizimit shoqëror”, (s’)mund t’i ngjajë “modelit populist” të LVV-së