Kosova

Partitë opozitare bojkotojnë takimin e thirrur nga kryetari i ri i KQZ-s


ilustim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë refuzuar takimin e parë të kryetarit të ri të këtij komisioni, Kreshnik Radoniqi.

Në takimin joformal të thirrur nga kryesuesi i ri i KQZ-së, kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Për Arianit Elshani anëtarin e PDK-së në KQZ arsyeja e bojkotimit të mbledhjes ka të bëjë pikërisht me shkarkimin e ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

“Presidentja e Kosovës, pa fakte dhe e ndikuar politikisht nga një parti politike, mori vendim për shkarkim të kryetares së KQZ-së dhe emërimin e ushtruesit të ri të detyrës”, ka thënë ai gjatë një prononcimi për Albanian Post.

Elshani më tutje ka shtuar se me vendimin e Presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës nga pozita udhëheqëse e KQZ-së, është rrezikuar edhe procesi i zgjedhjeve lokale të këtij viti.

Ai ka ftuar që Lëvizja Vetëvendosje “të mbajnë larg duart nga pavarësia institucionale që i takon KQZ-së”.

Ndërsa për anëtarin e LDK-së në KQZ, Florian Dushi arsyeja e mos marrjes pjesë në mbledhjen joformale të thirrur nga anëtari i ri i KQZ ka të bëjë me njoftimin me vonesë në lidhje me takimin.

“Takimi ka qenë joformal, unë kam pranuar njoftimin me vonesë dhe e kisha të pamundur të marrë pjesë” ka thënë Dushi, për AP.

Për Ibrahim Selmanaj, pjesëmarrja në ceremonitë e organizuara për nder të ditës së çlirimit të Deçanit ishin më të rëndësishme.

“Kemi ditën e çlirimit të Deçanit dhe unë jam kryetari i parë i Deçanit, është obligim i imi të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara për nderë të ditë së çlirimit të Deçanit”,  ka thënë ai për Albanian Post.

Para dy ditësh Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e kishte shkarkuar nga detyra kryesuesen e KQZ-s Valdete Daka, duke emëruar në vend të saj kryetarin e ri të këtij institucioni, Kreshnik Radoniqin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore