Kosova

Parashikimi frikshëm i saktë i Borrellit për “betejën komunale” në veri


Josep Borrell

Kur shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi përmes llogarisë së tij në “Twitter” se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, pas një dite të gjatë negociatash, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, shumë njerëz e kanë marrë atë si të mirëqenë.

Negociatat, ashtu siç parashikohej, kanë rezultuar në një marrëveshje që nuk është bash marrëveshje, pavarësisht se sa shumë u përpoq Bashkimi Evropian që ta “shesë” si të tillë. Sidoqoftë, atëherë kur pritej që të bëhej hapi i madh përpara, dialogu i lehtësuar nga evropianët mori në thua dhe stagnoi.

Shpresa që nxjerr kryet për të marrë paksa frymë fundoset përsëri e zhgënjyer. Koha tregon se përkeqësimi i situatës në veri të Kosovës filloi shumë më herët, duke vazhduar të vijëzohej pak e nga pak drejt një vetëmbërritje të ndryshme dhe duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja.

Se situata në pjesën e Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – mund të përshkallëzohej sërish, pati paralajmëruar edhe vetë Borrell.

Ndryshe nga Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili shprehej i bindur që zbatimi i plotë i marrëveshjes realizohet “deri në fund të verës” ngase “nuk sheh asnjë arsye” për mos-zbatim, kreu i diplomacisë evropiane paralajmëronte “përshkallëzim serioz” në Kosovë.

“Ne duam të shohim që procesi të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk shoh asnjë arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, deklaroi Escobar në mes të muajit maj, teksa përkujtoi se marrëveshja e fundit është “ligjërisht e detyrueshme” dhe e njëjta duhet të konkludohet plotësisht.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe të Sigurisë, në një konferencë për media, menjëherë pas takimit të 2 majit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vucic, bëri një parashikim  ‘frikshëm të saktë’ për të ardhmen.

“Shpreha brengën e madhe sa i përket gjendjes në veri pas zgjedhjeve të fundit. Këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate. Ndoshta e kundërta, kanë potencial që të çojnë drejt përshkallëzimit dhe minimin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo nuk është ajo që duam”, tha Borrell.

Ai edhe atëherë e kishte një fotografi për atë që do të ndodhte dy muaj më pas në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Borrell parashikoi se zgjedhjet e 23 prillit do të shtronin shtresa të tjera në një atmosferë të tensionuar dhe do t’i kontribuonte vazhdimësisë së krizës në veri.

“Shpresoj që askush të mos e dojë këtë, megjithatë është rrezik i madh”, alarmoi diplomati spanjoll, teksa tregoi se kishte inkurajuar dy liderët ballkanas që të gjejnë zgjidhje që do t’u mundësonte serbëve të kthehen në institucionet kosovare që i patën braktisur vitin e kaluar.

“Veprime konkrete nga të dyja palët janë të domosdoshme për të shmangur rrezikun e përshkallëzimit por fatkeqësisht liderët nuk arritën pajtim sot dhe kam frikë që do të ballafaqohemi – ndoshta – mund të ballafaqohemi me ndonjë situatë kritike”, deklaroi Borrell.

Zgjedhjet në veri janë mbajtur pa asnjë incident, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote atje, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë. Ato, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe votuan pos 13 serbë.

Asnjë nga këto probleme nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia grupeve kriminale në veri të zgjerojnë fushëveprimin e tyre, në Bruksel lihet anash diskutimi për marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e ardhmja e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit shfaqet e zymtë.

Që kur kreu i diplomacisë evropiane e emëroi atë të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, Miroslav Lajçak, nuk e ka parë kurrë këtë “nivel të thellë” të tensionit në veri të Kosovës. Kjo mund të tingëllojë si një gjë ogurzezë, por nuk është.

Shpesh është thënë se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar pas “betejës” për objektet komunale në veri.

“Detyra jonë nuk është të vendosim se kush ka të drejtë apo kush e filloi, por t’i bëjmë Prishtinën dhe Beogradin të kuptojnë se janë përballë një situate ‘lose-lose’. Nëse nuk ka kthim në normalitet, të dy humbasin”, tha Lajçak, i cili ka kohë që merret me “menaxhim krizash”.

Energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi. Mjafton një shkëndijë e vetme – qoftë kjo shkëndijë shprese, zgjuar nga veprime politike të bëra me pahir, qoftë shkëndijë zemërimi, zgjuar nga një armë e shkrepur në castin e papërshtatshëm – dhe ajo shpërthen.

Nuk mund të zbuten e as të fshihen sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, sulmet e fyerjet ndaj gazetarëve kosovarë dhe simbolet nacionaliste serbe bashkë me ato ushtarake të propagandës ruse.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Ndërkaq, thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një axhendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri të Kosovës realisht ka çdo gjë ngapak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore