Lajme

Parandalohet një rast i kontrabandës në Jarinjë


Malli i kontrabanduar

Dogana e Kosovës, këtë të mërkurë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit nëpërmjet autobusit në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Autobusi i linjës Serbi – Kosovë, sipas Doganës së Kosovës, ka bartur produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili në vlerë prej mbi 4 mijë euro të cilën kanë rezultuar të jenë të pa deklaruara.

“Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4 mijë e 793 euro. Autobusi është dërguar në terminalin Doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm”.

Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, javë më parë në Komunën e Leposaviqit kishte parandaluar edhe një rast të kontrabandës me mallra ushqimore.

Produktet ushqimore të kontrabanduara sipas Doganës së Kosovës kapnin vlerën e mbi 5 mijë eurove.

“Pas një operacioni të koordinuar është ndaluar një automjet i dyshimtë në territorin e Kosovës, i cili kishte hyrë në vend përmes rrugëve ilegale. Automjeti në fjalë, në përputhje me dyshimet tona ishte duke transportuar  mallra të kontrabanduara, kryesisht mallra ushqimore. Vlera e mallit të kapur është mbi 5 mijë euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore