Kosova

Paralajmërohet zbritja e çmimit të naftës në Kosovë


Ilustrim

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të ketë ulje të çmimit të derivateve në Kosovë.

Ai në një prononcim për Albanian Post, ka njoftuar se rënia veçse ka filluar por e njëjta do të vërehet nga java e ardhshme, dhe sipas tij, deri në fundin e vitit çmimet do të jenë si më parë.

“Rënia e çmimeve të naftës ka filluar. OPEC-u ka njoftuar se rënia e çmimit të naftës do të bëhet nga janari, por tek vërehet qysh tash një rënie e lehtë. Deri fundin e vitit do të jenë sikur më parë ashtu siç ka qenë në muajin shtator diku 1.15 eventualisht 1.16 euro për litër”, është shprehur ai.

Sipas tij, aktualisht çmimi i naftës në Kosovë variojnë ndërmjet 1.19 ose 1.20 euro nafta, benzina 1.23 deri në 1.30.

Ndërkohë, ai potencoi se sa i përket çmimeve në rajon, në Kosovë çmimet janë më të lirat.

“Në Shqipëri një litër dizel sillet 1.25 euro kurse benzina 1.50. Ndërkaq Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi janë më shtrenjtë, përveç Maqedonia e Veriut që i ka taksat për dizel 44 centë më të ultë kurse benzinën e ka sikurse ne”, shtoi ai.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

“Sa i përket shportës së qytetarëve, kanë thënë më herët se shkaku i derivateve janë rritur, na është imponuar edhe rritja. Kjo nuk është e vërtetë. Mendoj se marketet e mëdha janë duke abuzuar me produktet ushqimore”.

“Rasti konkret në vitin 2020 e kemi pasur çmimin e naftës 75 centë kurse 80 dizeli”, ka thënë Berjani.

Ndërkaq, Berjani shtoi rastin se edhe në vitin 2019 ka qenë çmimi më i lartë por që ka zgjatur vetëm një javë, dhe siç theksoi ai marketet nuk i zbritën çmimet ani pse çmimi i derivateve ishte ulur.

“Për dhjetë vitet e fundit, çmimi më të lartë nuk kemi pasur. Çmimi më i lartë ka qenë edhe në kohën e ish-kryeministrit Haradinaj, ka qenë 1.28 euro dizeli, por kjo ishte e imponuar nga OPEC (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore