Lajme

Paralajmërimi i Zelensky-t, ShBA: Agresioni rus ndaj Ukrainës vë në pah urgjencën për të ndihmuar Ballkanin


Flamuri i ShBA-ve duke valëvitur, në prapavijë qëndron ndërtesa e Kongresit amerikan.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e punës së Uashingtonit për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Këto komente, DASH i ka bërë për “Radio Evropa e Lirë”, ku janë përgjigjur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndajnë shqetësimet e njëjta me Bashkimin Evropian sa i përket paralajmërimit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha të enjte se Rusia dëshiron të nxisë konflikt në Ballkan.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Nga DASH-i kanë thënë se Uashingtoni është duke punuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evopianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

“Sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit të enjten synojnë pikërisht këtë problem, ndërlidhjen e ndikimit malinj rus dhe korrupsionit. Që të dyja këto pengojnë përpjekjet e rajonit për të lëvizur drejt anëtarësimit në BE dhe drejt një të ardhme më prosperuese”, tha zëdhënësi i DASH-it në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Çka ndodhi?

Paralajmërimet e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia ka plane për kriza të reja në Ballkan, nuk janë vetëm pretendime, por po rezultojnë si shqetësime konkrete edhe në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Zelensky-t u konfirmua nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga zëdhënësi i Unionit, Peter Stano.

Stano, në një konferencë për media të premten, tha se edhe BE për një kohë të gjatë ka vërejtur tendencën e Rusisë për të ushtruar ndikimin e saj malinje në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë”, tha Stano.

“Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, shtoi.

Peter Stano

Kësisoj, sipas Stanos, kjo është edhe njëra ndër arsyet se pse BE-ja po shton bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor në njërën anë dhe po i ndihmon ata në anën tjetër.

Por, çka paralajmëroi saktësisht Zelensky?

Gjatë një bashkëbisedimi me disa gazetarë në Afrikë të enjten, presidenti ukrainas alarmëroi se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç thotë ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Sot të gjithë po diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç e kam thënë sinqerisht, ky nuk është problemi i djeshëm. Dhe jo problemi i pardjeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron të përfundojë. Meqenëse është e përshtatshme – në një moment, thjesht merrni përsëri këtë mekanizëm. Ky është një shpërthim në Lindjen e Mesme, Rusia qëndron pas kësaj, ne jemi të sigurt, me aleatët e tyre Iranin”, ka thënë Zelensky.

“Kini kujdes Ballkanit”, paralajmëroi ai, “më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë, Lindja e Mesme, do të jetë Ballkani, të paktën, nëse shtetet e botës nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një shpërthim të tillë, përsëri”.

Volodymyr Zelensky

Sipas tij, Rusia është sërish e interesuar të devijojë ndihmën që po i bëhet Ukrainës nga vendet perëndimore pas agresionit rus.

“Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani këtë ndihmë dhe vëmendje midis shumë vendeve, shumë sfidave, shumë sfidave humanitare”, tha Zelenskyy.

“Moldavia. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi. Për të treguar se diçka nuk ishte në rregull atje gjatë zgjedhjeve. Për të njohur zgjedhjet si antikushtetuese. Për të shembur përsëri qeverinë aktuale. Për të shkatërruar qeverinë që është pro-evropiane”, beson presidenti ukrainas.

Këto paralajmërime të presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur vendet perëndimore me një angazhim – të pa parë deri më tani – po bëjnë përpjekje maksimale që të arrijnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket çështjeve të sigurisë, Ballkani kohëve të fundit është përballur me sfida që mund ta rrezikonin seriozisht të gjithë rajonin.

Rasti konkret është ai i 24 shatorit në Banjë të Zveçait, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Për këtë ngjarje, Kosova akuzoi drejtpërdrejt Serbinë – një aleate historike e Rusisë.

Nga ana tjetër, Bonje e Hercegovina vazhdimisht po kërcënohet nga Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik – një aleat i Vladimir Putinit të Rusisë – për shkëputje të këtij etniteti nga BeH.

Po ashtu, kohëve të fundit, frika për de-stabilizim është rritur edhe në një vend tjetër të rajonit.

Fjala është për Malin e Zi. Kjo për faktin se pjesë e qeverisë së re malazeze është edhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro rus.

Madje, njërit prej krerëve të këtij koalicioni, liderit të “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, i është dhënë posti i Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.

Mandiç e konsideron Putinin si president të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore