Lajme

“Parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”, Vulin jep dorëheqje nga posti i drejtorit të BIA-s


Aleksander Vulin

Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, pak muaj pasi që u sanksionua nga Departamenti i Thesarit Amerikan, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në një deklaratë për media, Vulin ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë “kokën” e tij “si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.

“Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkak i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe. Për këtë arsye po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.

Vulin pretendoi se sanksionet e vendosura ndaj tij, janë dëshmi e “luftës” së tij “të vazhdueshme për unitetin e serbëve”.

“Por vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, për të cilat do të përdorej më tej menaxhimi im i BIA-s, do të ishte dëshmi e egoizmit tim”, tha Vulin.

Tutje, ai deklaroi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe shteti që ai udhëheqë po përballen “me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914”.

“Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse do të pranonin ta bënin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund të fundit për drejtësinë sociale”, ka shkruar Vulin.

Siç pretendon ai, treguesi i parë i korrektësisë së vendimit të tij do të jenë “deklaratat hipokrite të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së”, në të cilat, shton ai, “do të betohen se nuk kanë dashur as të vendosin sanksione ndaj Serbisë”.

Vulin theksoi se dorëheqja e tij nuk do të ndryshojë politikën e ShBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, “por se do të ngadalësojë kërkesat dhe shantazhet e reja”.

“Ata nuk morën sanksione kundër Rusisë, nuk morën njohjen serbe të Kosovës, por morën një kokë serbe. Refuzoj të bëhem pjesë e histerisë anti-ruse dhe anti-serbe për shkak të çdo pozicioni, të mos më interesojë më për Republikën Srpska dhe mbijetesën e saj dhe të mos besoj në pashmangshmërinë e bashkimit të serbëve dhe krijimin e botës serbe. Unë refuzoj të heq dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe vëllazërisë me Rusinë dhe Kinën”, theksoi ai.

Sic pohon ai, “kjo është një fitore e vogël për SHBA-në dhe BE-në”, por edhe fitoren e tij të madhe sepse, sipas tij, ai ka dëshmuar se Serbia dhe populli serb “ia vlen çdo sakrificë”.

“Sakrifica ime është e vogël në krahasim me madhësinë e faltoreve që mbroj”, shtoi ai.

Ai ka falendëruar Vuçiç-in për mundësinë për të “mbrojtur serbët dhe Serbinë” dhe i kërkoi atij “të mbetet presidenti i të gjithë serbëve, lideri i fundit i lirë në Evropë, për krenarinë e të gjithë serbëve”.
“Shpresoj se në këto zgjedhje do të luftojmë së bashku për Serbinë e lirë”, ka përfunduar Vulin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore