Shqipëria

Spiropali nga Zvicra: Paqja e drejtë në Ukrainë, kontributi më i madh e premtues


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ndau në median sociale momente nga pjesëmarrja në samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën, që u zhvillua në Zvicër.

“Samiti dyditor i nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën, organizuar këtë fundjavë në Zvicër bëri bashkë rreth 100 udhëheqës e përfaqësues nga mbarë bota dhe ia mbërriti të dakordësojë midis vendeve pjesëmarrëse parametra të përbashkët për paqen në Ukrainë, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kartën e OKB-së”, shkruan Spiropali.

Për të, paqja e drejtë në Ukrainë do të ishte kontributi më i madh premtues dhe kuptimplotë për domosdoshmërinë e paqes globale dhe dëshmi e faktit se rendin ndërkombëtar nuk e minon dot asnjë tirani.

Pjesa e samitit ishte edhe presidenti Bajram Begaj, i cilo theksoi se vendi i tij është i nderuar të marrë pjesë në këtë samit dhe e mbështet plotësisht synimin e tij.

Për Begajn, ky samit paraqet një tubim të rëndësishëm të kombeve me qëllimin e përbashkët për të gjetur një rrugë që, nga errësira e konfliktit, të na nxjerrë drejt dritës së paqes.

“Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzish, shkatërrime dhe zhvendosje të popullsisë. Kjo tragjedi njerëzore na shtyn ta shohim procesin e paqes jo si një ideal të largët, por si një domosdoshmëri të menjëhershme”.

Sipas tij, është përgjegjësi e vendeve perëndimore që të hapin rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap t’i largohet luftës dhe konfliktit.

“Agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë”.

Begaj theksoi se duhet të zhvillohet një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Është jetike që këto shtete të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur. Shqipëria e ka dënuar fuqishëm agresionin rus. Ne mbajmë një qëndrim të qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.

Ai përsëriti faktin se Shqipëria e konsideron formulën e paqes të Presidentit Zelensky si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën.

Për të, çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.

“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë për veprimet e Rusisë”.

Begaj shpjegoi se rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi – ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona.

“Ne jemi mbledhur këtu jo për të detyruar, por për të inkurajuar, jo për të imponuar, por për të propozuar rrugë drejt paqes, të cilat respektojnë interesat dhe integritetin e të gjithëve”.

Së bashku, le ta transformojmë shpresën e sotme në paqen e së nesërmes, përfundoi presidenti fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore