Lajme

Papa u bë një instrument i propagandës ruse, thotë Podolyak


Një nga zyrtarët më të lartë ukrainas, Mykhailo Podolyak nuk ka kursyer kritikat për deklaratat e fundit të Papa Françeskut, duke i kujtuar se u bë “një instrument i propagandës perandorake ruse”.

“Papa Françesku inkurajon ideologjinë mizantropike të Putin-it, dobësitë e tij gjenocidale. Duhet të pyesim veten se çfarë është Kisha Katolike, çfarë është Krishtërimi, çfarë është Ukraina e gjakosur e viktimave të pafajshme. Duket se Papa ka qenë edhe një herë instrument i propagandës ruse”, theksoi fillimisht Podolyak për “Corriere della Sera”.

Sipas këshilltarit të presidentit Zelensky, deklaratat e Papa Françeskut janë “një diskurs shkatërrues për humanizmin bashkëkohor”.

“Nëse i vlerësojmë frazat e Papës me mendje të hapur, shohim se ato janë një inkurajim i pakushtëzuar për imperializmin agresiv, një duartrokitje për idenë gjakatare të ‘botës ruse’, që nënkupton shkatërrimin brutal të lirive dhe stilit të jetesës së të tjerëve”, shtoi Podolyak.

I pyetur nëse autoritetet ukrainase janë të hapura për një negocim, zyrtari i lartë sqaroi se në këtë moment “nuk bëhet fjalë” për një gjë të tillë.

“Le të jemi realistë. Moska vazhdon të mashtrojë veten se ka burimet për të mbajtur një pjesë të territoreve të pushtuara, ajo duhet të pësojë humbje të rëndësishme taktike në vijën e parë. Vetëm kjo, plus intensifikimi i konflikteve në rrethinat e Putin-it, do t’i detyrojë rusët për një vlerësim më realist të situatës. Nga kjo rezulton se në këtë moment nuk bëhet fjalë për ndonjë negociatë”, tha Podolyak për botimin italian.

Ai theksoi se Putin jo vetëm që nuk është një partner për të negociuar, ai është gjithashtu një hipokrit që e konsideron gatishmërinë e palës ukrainase për të dialoguar si një dobësi për t’u shfrytëzuar në avantazhin e tij.

“Putin-i nuk e mban kurrë fjalën e tij, ai vepron sipas instinkteve shkatërruese, gjithmonë duke mashtruar veten se mund t’i ikë, duke shkelur çdo rregull. Nuk do të ketë negociata dhe për arsye të ndryshme: është e kotë, poshtëron të drejtën ndërkombëtare, justifikon krimet e saj. Për më tepër, ai ka humbur të gjithë sensin e masës, ai dënon vendin e tij, shtyp kundërshtarët e tij, i ka vrarë ata”, vijoi Podolyak.

Sa i takon mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë, zyrtari i lartë kujtoi se ende nuk mund të flitet për një gjë të tillë.

“Ne jemi një vend demokratik. Ne besojmë në konkurrencën e lirë politike, respektojmë procedurat dhe afatet zgjedhore. Megjithatë, edhe këtu duhet të jemi realistë. Jemi nën sulm, një pjesë e rajoneve tona janë të pushtuara: ende nuk mund të flitet për zgjedhje”, ravijëzoi në përmbyllje Mykhailo Podolyak.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore