Lajme

Pantiç-it i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj


Dejan Pantiç.

Ish-policit serb Dejan Pantiç, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj i cili është i dyshuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Veri.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, tha Gashi për AP.

Dejan Pantiç, dyshohet për terrorizëm.

Ai u arrestua në dhjetor të vitit 2022, nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë. Gjë që pamundësuan dërgimin e tij nga Policia e Kosovës, në qendër të paraburgimit.

Më pas, meqë policia nuk kalonte dot nëpër barrikada, më 28 dhjetor, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’a zbusë masën e sigurisë ndaj tij, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Në arsyetimin zyrtarë, prokuroria kishte thënë se vendimin e kishte bazuar në aspektin shëndetësor e human, i kishte propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, që të pandehurit Pantiç, t’ia ndryshojë masën e sigurisë, “pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”.

Arrestimi i Pantiç ishte edhe arsyeja përse serbët në Veri filluan vendosjen e barrikadave dhe bllokimin e arterieve kryesore duke detyruar edhe mbylljen e dy pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Pantiç u arrestua me 10 dhjetor, po të njëjtën ditë filloi edhe vendosja e barrikadave. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati tregtuar se Pantiç u arrestua pasi “organizoi sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore