Pantiç do dërgohet në spital, “s’është mirë”

SHFLETO
Valon Rashiti
11.01.2023 20:21
Loading Icons...

Gjendja shëndetësore e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç i akuzuar për terrorizëm nuk është e mirë, prandaj ky i fundit të enjten e 12 janarit nën përcjelljen e policisë do të dërgohet për kontroll në spitalin e Mitrovicës Veriore.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, avokati i Pantiç-it, Ljubomir Pantoviç, ndonëse nuk ka dhënë detaje shtesë.

“Të enjten, Pantiç do kontrollohet nga mjekët në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Ai do të përcillet nga zyrtarët policorë”, tha avokati.

Po ashtu, Pantoviç ka treguar se klienti i tij është duke u ruajtur nga organet e rendit edhe pse gjendet në arrest shtëpiak.

“Është duke u ruajtur dhe kontrollohet çdo ditë nga policët. Nuk e di sa policë janë, është çështje e policisë më shumë”, shtoi ai.

Por, ai a ka mohuar se Pantiç po planifikon të udhëtojë në Serbi.

“Jo do të qëndrojë në Mitrovicë sepse nuk ka asnjë interes të shkojë në Serbi”, shpjegoi ai.

Kur pyetet për procesin e deritashëm gjyqësor ndaj Pantiç, ai potencon se është ende fillimi, duke shtuar se “ende janë duke u zhvilluar hetimet preliminare”.

Kurti për lirimin e Pantiç-it: Jam kureshtar ta di se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë, e cili gjyqtar e aprovon

Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë, në fund të vitit të kaluar ka konfirmuar se Pantiç, i cili u arrestua në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, nga autoritetet kosovare nën dyshimin për sulme terroriste është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, kishte thënë Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për Albanian Post.

Nga 10 dhjetori serbët duke dhënë si pretekst arrestimin e Dejan Pantiç’it, patën bllokuar rrugët në Veri duke pamundësuar lirin e lëvizjes në shumë pika.

Ai duhej të dërgohej në paraburgim, por policia rreth një muaj e mbajti në një pikë në veri në pamundësi për ta çuar në qendër paraburgimi.

Për pasojë prokuroria kërkoi dhe gjykata aprovoi ndryshim të masës në arrest shtëpiak.

Lidhur me ndryshimin e masës së paraburgimit të Dejan Pantiç’it pati reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në një konferencë për media kritikoi qasjen e organeve të drejtësisë në raport me rastin e Pantiç’it, i cili me kërkesë të Prokurorisë e me vendim të Gjykatës u liruar nga paraburgimi për në arrest shtëpiak, ani pse i njëjti akuzohej për sulme terroriste.

“Por, kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, kishte thënë Kurti.

Si u bë që serbët morën vesh nga Vuçiç për lirimin e Pantiç-it?