Lajme

Si u bë që serbët morën vesh nga Vuçiç për lirimin e Pantiç-it?


Foto Ilustrim/Albanian Post

Në një konferencë për media, kryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – Goran Rakiç, deklaroi se për lirimin e Dejan Pantiç-it janë njoftuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Njeriu që u largua së bashku me 600 zyrtarë nga Policia e Kosovës dhe që akuzohej për sulmin terrorist të 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, tashmë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Por, si u bë që serbët morën vesh nga Vuçiç për lirimin e Pantiç-it?

Mbrëmjen e së martës, në pikën më të lartë të tensioneve ditëve të fundit, Vuçiç kishte takuar përfaqësuesit e Listës Serbe në kazermen ushtarake në Rashkë, qyteza më e afërt serbe me kufirin e Kosovës në Jarinjë.

Ndërkaq, mëngjesin e së mërkurës, Gjykata Themelore në Prishtinë, konfirmoi se ish-polici i Kosovës nga radhët e komunitetit serb që u arrestua nga autoritetet kosovare është liruar nga paraburgimi dhe iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak.

Megjithatë, menjëherë pas vendimit të gjykatës, kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media shprehu habinë se si u bë e mundur që ish-polici serb të lirohej në arrest shtëpiak, duke u nisur nga fakti se ai akuzohej për terrorizëm.

“Kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, tha Kurti.

Lirimi i Pantiç-it nga Gjykata Themelore e Prishtinës ka befasuar edhe avokatët, meqë sipas tyre për veprën që akuzohet ai, qëndrimi në paraburgim është i domosdoshëm, pasi i dyshuari mund t’u u ikë organeve të rendit.

Përveç zyrtarëve më të lartë institucionalë në Kosovë, një vendim i tillë i ka befasuar edhe njohësit e çështjeve juridike, meqë sipas tyre për veprën që akuzohet Pantiç, qëndrimi në paraburgim është i domosdoshëm, pasi i dyshuari mund t’u u ikë organeve të rendit.

Të hënën misioni paqeruajtës i KFOR-it, në një përgjigje për Albanian Post, njoftoi se po planifikojnë një takim mes të gjitha palëve për të diskutuar rreth zgjidhjes së çështjes në pjesën veriore.

“Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për AP.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një komunikate për media thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç për të gjetur një zgjidhje për uljen e tensioneve në Veri.

“Ne po punojmë me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhej në deklaratë.

Ndryshe, barrikadat thuhet se u ngritën për shkak të arrestimit të Pantiç-it, por ato u ngritën me urdhër të Vuçiç-it së bashku me kontraktorët në terren: Listën Serbe dhe kriminelin Milan Radoiçiç .

Pamundësinë për të lëvizur lirshëm në katër komunat veriore të Kosovës si pasojë e barrikadave nuk e kishin vetëm qytetarët e rëndomtë të Kosovës, por edhe vetë shteti – në këtë rast Policisë së Kosovës iu pamundësua transferimi i Pantiç-it në një Qendër Paraburgimi.

Mbetet e paqartë se si e dinte Vuçiç se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Themelore e Kosovës për rastin e Pantiç apo më shumë bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur paraprakisht mes Kurtit e Vuçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore