Shqipëria

Paloka thotë se Kim është blerë nga Qeveria, SHBA-të i quajnë akuzat ‘baltosje dhe gënjeshtra’


Pas replikave në distancë, të cilat u zhvilluan më 4 prill ndërmjet ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha, çështja ka marrë të tjera përmasa, me akuza të ngritura nga deputeti demokrat, Edi Paloka, karshi diplomates.

“Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, ka thënë Paloka, i ftuar në televizionin “Vizion Plus”, duke ngritur kështu akuza mbi lidhje të diplomates amerikane me Qeverinë.

Ai madje, hedh hije të një “korrupsioni të fshehur” në këtë marrëdhënie, kur pretendon se vetë Kim, po prej “këstin e fundit” (nënkuptuar si pagesë nga Qeveria), pasi prej ardhjes së saj me misionin diplomatik, është e vetmja gjë që ka bërë – “mbrojtjen e Qeverisë dhe kryeministrit Rama, për të marrë diçka mbrapsht”.

Lidhur me këto akuza të ngritura, kanë reaguar po për Vizion Plus nga Ambasada Amerikane, duke i etiketuar ato si “baltosje dhe gënjeshtra”

“Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA-ve janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA-ve”, thuhet qartësisht në përgjigje.

Më tej, shtohet se këto akuza, hyjnë në metodat e vjetra dhe të padenja për një aleat të NATO-s dhe vendi aspirant për në Bashkimin Evropian, apo edhe një mike të vyer të SHBA-ve, siç është Shqipëria.

“Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, përmbyllet reagimi i plotë nga selia diplomatike amerikane.

Më 4 prill ndërkaq, ishte ambasadorja Kim, ajo e cila në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, përkufizoi se “personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar”.

Teksa, Berisha, u kundërpërgjigj, duke parashtruar se sipas tij, Kim kërkon të fshehë aferat e veta korruptive, për të cilat duhet të hetohet.

Rikthehet ‘dueli’ Berisha-Kim, kërkohet hetimi i ambasadores

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore