Shqipëria

“Pakoja e Madhe” është urimi i Ramës për fundvitin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka anuluar konferencën e zakonshme të fundvitit, duke i lënë hapësirë “Pakos së Madhe” të mbështetjes qeveritare për 1 milion shqiptarë.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

“Sot nuk e pashë të udhës të bëj një konferencë shtypi si çdo fundvit, po lashë ‘Pakon e Madhe’ kundër inflacionit të luftës të flasë për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës”, u shpreh fillimisht Rama.

Këta të fundit, sipas kryeministrit, si kurrë më parë, do të marrin një mbështetje financiare ekstra, sepse u duhet të përballen me një dimër me dorën e zgjatur të inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë.

“Ne nuk mund t’i linim ata vetëm në këtë dimër të vështirë për të gjithë Europën, po mbi të gjitha për më të dobëtit”, shtoi kryeqeveritari.

Duke u nisur nga nevoja për ta hequr atë dorë shqetësuese nga konsumi bazë i këtyre kategorive, ideuam “Pakon e Madhe”, vëren ai.

Rama theksoi se kjo “Pako e Madhe” nuk zgjidh të gjitha hallet, as nuk i jep fund luftës dhe impaktit të saj të pashmangshëm mbi ekonominë, por së bashku me subvencionin masiv të çmimit të palëvizur të energjisë, zmbraps një dimër që përndryshe do të ishte jo i lehtë.

“S’i kemi lënë kurrë njerëzit dhe s’do t’i lëmë vetëm, po do të bëjmë gjithçka mundet për t’i mbështetur e lehtësuar në ditët e vështira, siç nuk do të lemë gjë pa bërë për t’u sjellë ditë gjithnjë e më të mira”, garantoi në përmbyllje kreu i Qeverisë në urimin e tij.

“Pakoja e Madhe”

Autoritetet shqiptare kanë vendosur të mbështesin disa kategori me një shumë të caktuar për të përballuar gjatë dimrit “impaktin e inflacionit të luftës”.

E quajtur “Pakoja e Madhe”, mbështetja prej 8 miliardë lekësh për 1 milion shqiptarë, do të shpërndahet nga qeveria në ditët e para të muajit janar.

Fillimisht, do të jenë më shumë se 12 mijë punonjës të administratës me pagë nën 60 mijë lekë bruto, duke nisur nga sanitaret, punëtorët e shërbimeve mbështetëse, shoferët, nëpunësit e shkallëve më të ulëta, të cilët do të përfitojnë një vlerë prej 20 mijë lekësh.

20 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” do të shkojnë edhe për efektivët e Renea-s, të Forcave Speciale Delta, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Njësisë Operacionale.

Të gjithë punonjësit e Sistemit të Burgjeve do të përfitojnë gjithashtu 10 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” e mbështetjes qeveritare.

Më herët, u lajmërua se infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 mijë lekë, ndërsa ato me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët – do të marrin 10 mijë lekë.

Më shumë se 6 mijë mësues dhe edukatorë me pagë bruto nën 60 mijë lekë do të përfitojnë 20 mijë lekë, ndërkohë që 30 mijë mësues dhe edukatorë të tjerë, me pagë bruto mbi 60 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë.

Efektivët e këmbësorisë, ushtarët bazë dhe nënoficerët nga Forcat e Armatosura, pavarësisht pagës së tyre të rritur, do të përfitojnë 20 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe”.

Për zjarrfikësit është parashikuar gjithashtu një mbështetje prej 20 mijë lekësh nga “Pakoja e Madhe” e këtij dimri.

Inspektorët, nënkomisarët dhe komisarët e Policisë së Shtetit do të përfitojnë 10 mijë lekë, pas rritjes së pagave para disa muajsh.

Nga skema e mbështetjes, do të përfitojnë edhe pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.

Pensionistët do të marrin 8 mijë lekë nga “Pakoja e Madhe” dhe përftues do të jenë 695 mijë syresh.

8 mijë lekë do të shpërndahen për çdo familje me ndihmë ekonomike, ndërsa gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20 mijë lekë.

Personat me aftësi të kufizuar do të mbështeten nga qeveria gjithashtu me 8 mijë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore