Financa

Paketa fiskale 2022 “rrit importin, braktis fermerët”


Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% për prodhuesit dhe përpunuesit, që furnizohen me produkte nga fermeri, dhe vendosja e TVSH-së 10% tek inputet bujqësore nga zero, që është prej 2019-ës, janë ndryshimet që kanë shoqëruar paketën fiskale 2022.

Shqyrtimi i kësaj pakete ka prodhuar jo pak debat nga radhët e Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Socialiste (PS), por edhe vetë fermerëve, të cilët kanë protestuar disa herë.

Si do të reflektohet kjo paketë në tregun shqiptar?

Sipas Arbi Agalliut, ekspert i ekonomisë, këto dy elementë do të ndikojnë “në përkeqësimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe rrjedhimisht të fermerëve, të cilët janë një shtresë që përballen me kushte të vështira”.

“Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% për gjithë fermerët”, thotë deputeti i PD-së, Agalliu, “do të ndikojë negativisht, për shkak se këto të fundit nuk do të kenë më nxitjen për të marrë dhe për të kultivuar, tregtuar produktin vendas”.

Ekspert ekonomie, deputet i PD-së, Arbi Agalliu

Kjo thotë eksperti ndodh për faktin se “produkti vendas del me kosto më të lartë, për shkak të të gjithë barrës fiskale, organizimit të fiskalitetit, por edhe problemeve të pronësisë”.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe njohësi i ekonomisë, Pano Soko.

“Efekti është vetëm negativ. Me këtë paketë fiskale, jo vetëm u hoq subvencioni 6% nëpërmjet skemës së TVSH-së, por iu rrit kostoja e inputeve bujqësore”.

Sipas Sokos, produktet bujqësore shqiptare “që nga 1 janari do të jenë më të shtrenjta dhe do të kenë më pak mundësi për të penetruar në treg”.

Lidhur me vendosjen e TVSH-së 10%, Agalliu ravijëzon se është një akt që shkon në kundërshti të plotë, jo vetëm me praktikat e vendeve të zhvilluara, apo vendeve të rajonit, por në kundërshti të plotë me teoritë e ekonomisë.

“E bën fermerin, bujkun, fshatarin të painteresuar për t’u marrë me bujqësi”.

Ai thotë se kjo do të reflektohet në “dëmtimin e prodhimit vendas, nxitjen e importit, apo shpërnguljen e kësaj shtrese të shoqërisë drejt vendeve të tjera, në formë të një emigracioni të ri tashmë”.

Sipas deputetit, ata nuk do të kenë më nxitje, “pasi kostot dhe tregu nuk janë favor”.

Soko, nga ana tjetër, efektin e ndryshimeve e lidh dhe me konsumatorin.

Ekspert ekonomie, Pano Soko

“Rritja e kostove të prodhimit, do të ndikojë në rritjen e çmimit të produktit. Rritja e çmimit të produktit do të rëndojë direkt te konsumatori, i cili ose do të duhet të paguajë më shumë për të njëjtin produkt, ose do të zgjedhë produktin e importit që vjen me çmim më të lirë”.

Të dy ekspertët theksojnë se informaliteti do të ketë rritje.

“Ka një parim universal të stërprovuar tashmë në ekonomitë e vendeve në tranzicion, si Shqipëria. Kur rriten taksat, rritet informaliteti. Kur taksat ulen, ulet informaliteti”, theksoi Soko.

Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, thekson për Albanian Post (AP) se, heqja e 6%-shit do të ulë edhe atë pak interes që kanë pikat e grumbullimit.

Sipas tij, nga ky vendim do të preken edhe serat.

Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli

Nga marshimi i fermerëve, që ndodhi në muajin nëntor, kreu i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Eduard Sharka, deklaroi se fermerët po braktisin serat, fshatin dhe Shqipërinë.

Propozimi i tyre i parë është subvencioni direkt për fermerët jo më pak se 100 lekë të vjetër për kilogramë.

“Ky nuk është instrument lëmoshe, as mbështetje sociale, por një mënyrë për të formalizuar sektorin që është 90% informal”, tha kreu i Sindikatës.

Eksperti Resuli propozon që të barazohet TVSH-ja “6% në prodhim dhe në shitje”.

Sipas tij, kjo do të jetë e ngjashme me atë që po zbatohet në rajon.

“Edhe industria e përpunimit të qumështit merr një goditje, duke rritur deficitin nga 14 % në 20% në momentin e blerjes. Kjo do sjellë interes për qumësht jashtë territorit shqiptar”, thotë eksperti.

Ai ravijëzon se barazimi i TVSH-së 6% në prodhim dhe 6% në shitje, siç e ka rajoni, do të ishte në të mirë të fermerëve.

“Kemi tre vjet që e kemi zero në blerje dhe 20 në shitje. Kjo i ka bërë operatorët të sektorit të bujqësisë në një diskutimin fiskal, kjo ka ulur interesin për produktin vendas”, tha Sharka nga protesta.

Paketa e re fiskale

Nëse fermerët shisnin 1 produkt për 100 lekë, ata përfitonin 6 lekë rimbursim të TVSH-së, gjë që me këtë paketë të re fiskale shkon në zero.

Nga ana tjetër, fermerët duhet të vijojnë të paguajnë 20% të TVSH-së për produktet që blejnë.

Kjo skemë, shpesh, ka qenë e prekur nga ndryshimet e miratuara në Qeveri të ndryshme.

Kompensimi prej 6% u vendos si fillim në 2019-ën, pasi deri në atë kohë ishte 20%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore