
Kanë mbetur edhe 4 ditë nga fillimi i gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ndërsa mediumi prestigjioz britanik, Reuters, ka kushtuar një artikull për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, njëri nga të akuzuarit i cili pritet të paraqitet në gjykatore më 3 prill të hënën.
“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i konsideruar hero nga bashkatdhetarët për udhëheqjen e kryengritjes së viteve 1998-99 kundër sundimit serb që çoi në pavarësi, do të dalë në gjyq të hënën për krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit”, e nis shkrimin Reuters.
Shkrimi Reuters vazhdon duke treguar për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçit, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veselit, ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit dhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit në nëntor të vitit 2020.
Siç shkruan Reuters, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së lidhet me krimet e luftës përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën e zhdukjen me dhunë të njerëzve gjatë luftës.
Tutje, Reuters shkruan për rrugëtimin e Thaçit nga një luftëtar në kryeministër dhe nga viti 2016 si president.
“Përpara gjykimit, në të gjithë vendin e vogël ballkanik mund të shihen tabela që shfaqnin fotot e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbishkrimin ‘Heronjtë e Luftës dhe Paqes’, shkruan më tej Reuters.

Artikulli i Reuters më tej ka shkruar edhe për një serbe të Kosovës, Olgica Bozaniç, e cila shpreson se gjyqi do të jetë një shans për të mësuar se çfarë ndodhi me dy vëllezërit e saj, Todor dhe Lazar Kostiç, eshtrat e të cilëve u gjetën në një varr masiv në një fshat të Kosovës.
“Nga rrëfimet e dëshmitarëve, ne e dimë se ata u morën nga shtëpia e tyre së bashku me të gjithë burrat e fshatit më 17 korrik 1998 dhe u torturuar”, ka thënë Bozaniç për Reuters.
Sipas gazetës, shumë shqiptarë të Kosovës besojnë që Gjykata Speciale është e njënashme kundër UÇK-së dhe e interesuar të denigrojë historinë e saj.
George Kehoe, një avokat amerikan në ekipin mbrojtës të Thaçit, deklaroi për Reuters se prokurorëve do t’u jepen dy vjet kohë për të përfunduar paraqitjen e provave.
“Ky njeri sakrifikoi gjatë gjithë këtyre viteve dhe shpresojmë se ne do të jemi në gjendje ta nxjerrim atë në sallën e gjyqit dhe të tregojmë se ai ishte një njeri i ndershëm, i sinqertë dhe të sjellim lirimin e tij”, deklaroi avokati i Thaçit për Reuters.
Reuters gjithashtu në artikull ka dhënë hapësirë edhe për protestën e 2 prillit që pritet të mbahet në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.
Më 2 prill, me fillim nga ora 14:00 në Prishtinë do të mbahet një marshim për drejtësi për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe për të dërguar një mesazh se historia nuk mund të rishkruhet.
Marrshi i organizuar nga grupi “Liria ka emër”, është përkrahur nga Partia Demokratike e Kosovës, Partia Socialdemokrate dhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për protestën në fjalë në një intervistë për Klan Kosova, ka thënë se nuk ka dëgjuar për këtë gjë më parë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com