Lajme

Pajtimi në Ohër zhbllokon rrugën e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës, thotë ish-punonjësi në KiE   


Ilustrim: Andrew Forde

Për Andrew Forde, specialisti i së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qeverisjes dhe çështjeve politike, me më shumë se 10 vjet përvojë pune në Këshillin e Evropës, në rast se Kosova dhe Serbia të shtunën e 18 marsit pajtohen me mirëbesim për planin e zbatimit të Marrëveshjes së 27 shkurtit, atëherë rruga e Kosovës drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës mund të zhbllokohet.

Kosova më 12 maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Kosova duhet të kalojë tre faza të votimit.

Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ndërsa aplikimi i Kosovës që nga maji i vitit të kaluar ka mbetur i ngujuar në fazën e parë.

Megjithatë sipas Forde, 18 marsi mund të jetë kthesa kryesore ku shtetet anëtare, gjegjësit Komiteti i Ministrave, mund të bëjnë një lëvizje pozitive duke dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Nëse Kosova dhe Serbia bien dakord me mirëbesim në Ohër këtë fundjavë, kjo hap rrugën për një lëvizje pozitive të Kryetarëve të Shteteve të Këshillit të Evropës për të zhbllokuar politikisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe për ta përcjellë atë në PACE për shqyrtim”, ka shkruar shkurtimisht Forde në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij të fundit për gazetarin e Euronews, Sergio Cantone, ka thënë se Kosova shumë shpejtë do të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Shumica dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Evropës, thotë Kurti, janë pro sa i përket pranimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Shpresoj se tani do të shpejtohet procedura për të pasur votimin përfundimtar atje. Për ne është shumë e rëndësishme sepse do të ishe më e dobishme për vetë qytetarët sesa për vendin”, ka thënë Kurti.

Në të shumtën e rasteve Serbia ka pretenduar se  ka arritur t’i bind shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të mos e diskutuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mbledhjet e Komitetit të Ministrave, duke cilësuar këtë si një “fitore të vogël diplomatike”.

Intervistë me Andrew Forde, ish-punonjës në KiE: A ka ngecur procesi i anëtarësimit të Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore