Lajme

Pahor konfirmon planet për ta zëvendësuar Lajçakun në dialog


Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, sipas agjencisë sllovene të lajmeve “STA”, e ka konfirmuar se dëshiron ta zëvendësojë Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakun në këtë pozitë.

“STA”, ka raportuar se Pahor e ka mbështetjen e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob.

“Ai ka zhvilluar tashmë bisedime të shumta me palët e interesuara të BE-së mbi këtë temë në muajin e kaluar”, thuhet në artikull.

Nga zyra e ish-Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, as nuk e kanë mohuar dhe as nuk e kanë pohuar raportimin se ai mund të emërohet Emisar Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Fillimisht, të martën, gazeta sllovene, “Delo”, duke u thirrur në burime shkroi se Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet në këtë pozitë.

Lidhur me këtë, Albanian Post ka kontaktuar me stafin e kabinetit të ish-presidentit slloven, por që nuk ka marrë përgjigje konkrete, për ta pohuar apo mohuar.

“Ne nuk kemi asnjë koment”, kanë thënë shkurtimisht nga kabineti Pahor-it.

Për këtë çështje, përsëri të mërkurën ka shkruar gazeta sllovene që e dha lajmin fillimisht, pasi që ka marrë përgjigje nga ekzekutivi slloven.

Nga kabineti i kryeministrit slloven i kanë thënë gazetës në fjalë se Golob i ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar Pahor-it në kandidimin e tij për pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ata shtuan se në muajin e kaluar Golob ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale me liderët e vendeve evropiane si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian.

Kryeministri slloven shprehet i bindur se “ish-presidenti Pahor ka dëshmuar me punën dhe përvojën e tij politike të deritanishme se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij, si dhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë për qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të gjithë Evropën”.

Çka ndodhi?

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të emërohet si i Dërguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Gazeta sllovene, Delo, duke u thirrur në burime shkroi të martën se Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet në këtë pozitë.

Vlerësimet, sipas gazetës sllovene, janë se Pahor është kandidat i denjë dhe i plotëson kushtet për zëvendësimin e Lajçak-ut si i deleguar i BE-së.

“Për momentin, procesi i lobimit që Pahor të zë postin e të dërguarit special është në një fazë të ndjeshme”, shkroi Delo.

Sipas gazetës sllovene për emërimin e Pahor në këtë pozitë, përveç Fajon është duke lobuar instituti Miqtë e Ballkanit Perëndimor i cili u krijua nga vetë ish-presidenti i Sllovenisë.

“Një pjesë e lobimit për Pahorin e kryen edhe komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor. Ai përfshin, ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton, ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovinën, Carl Bildt, ish-kryeministren kroate Jadranka Kosor, ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ish-presidentin serb, Boris Tadiç”.

E gjithë kjo erdhi pasi që “Radio Evropa e Lirë”, javën më parë raportoi se diplomati sllovak pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Duke cituar burime diplomatike, REL shkroi se Lajçak do të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të Deleguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.

“Pahor s’mund ta ndryshojë dinamikën e dialogut përderisa në tavolinë janë Kurti e Vuçiç”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore