Lajme

“Pagat e dyfishta” të zyrtarëve të Listës Serbe – kërkohet angazhim i Prokurorisë


Mitrovica e Veriut.

Mbajtja e pozitave të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës, por edhe në ato të Serbisë nga dhjetë zyrtarë të Listës Serbe si dhe mos raportimi i rregullt i pasurisë apo të ardhurave të tyre në Agjencinë kundër Korrupsionit, ka bërë që ky institucion të filloj hetimet ndaj këtyre të fundit.

Por, përveç hetimeve që po zhvillohen nga AKK-ja shoqëria civile po e konsideron të domosdoshme edhe përgjigjen e Prokurorisë për zyrtarët që mbajnë pozita si në institucionet e Kosovës edhe në ato Serbisë.

“IKD vlerëson që përpos një hetimi nga AKK-ja, një hetim duhet ta nisë sa më shpejtë Prokurori i Shtetit dhe këtë ai duhet ta bëj ndaj të gjithë zyrtarëve të cilët paguhen nga shteti i Kosovës dhe janë të punësuar edhe në institucione paralele, të cilat cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thotë hulumtuesi i Lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Leotrim Gashi në një prononcim për Albanian Post.

Ai është shprehur se me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është synuar të forcohet integriteti i sektorit publik.

Përveç që deputetët e Listës Serbë po kryejnë angazhim të dyfishtë, ata po e cenojnë edhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Angazhimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë, si deputet e kryetar të komunave, të cilët përfaqësojnë komunitetin serb në institucionet e Kosovës edhe në institucione paralele në Kosovë, në radhë të parë cenon rendin kushtetutës të Kosovës dhe po ashtu edhe institucionet që ata përfaqësojnë”, deklaron ai.

Mitrovica e Veriut.

Gashi, tutje sqaron se ky ligj i ndalon zyrtarit që të angazhohet në punë të tjera dhe pozita të tjera.

“Punët e tilla mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës publike apo nëse angazhime të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e institucionit, dhe që zyrtari i lartë nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër”.

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Muhamet Kelmendi, ka bërë të ditur për Albanian Post se kjo është vetëm njëra nga veprat e shumta që ka bërë Lista Serbe në kundërshtim me normat ligjore në Kosovë.

“Veprimet e shumta që po i kryen “Lista Serbe”, janë në kundërshtim me normat ligjore në fuqi në Kosovë. Ato po e mbajnë gjendjen alarmante në Kosovë dhe kurdo herë po futen në verim kriminale me kërkesa të Beogradit”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, “vetë, Lista Serbe si subjekt është antikushtetues dhe juridikisht kërkohet të ndalohet veprimtaria thjeshtë për mos njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, kjo është antikushtetuese”.

Ai shton se ka fakte të mjaftueshme për të dënuar krimin e tillë nga deputetët, por që arsyeja e mos dënimit të tyre ka të bëjë me faktorët e jashtëm.

“Mendohet se faktori kryesor rrjedhë nga ndikimi i faktorit të jashtëm, si mjet që ndalojnë organet e shtetit të Kosovës, për të ndjekur dhe dënuar krimet e tilla”, thotë ai.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç

Ai shton se, “këtu është fjala të tolerimi i veprimeve të serbëve nga UE, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, nga shtetet e ndryshme si dhe frika për kundërveprimet e shtetit serb”.

Ndryshe, procedura e hetimit është iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiç, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiç, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiç, deputetëve Zoran Mojsilloviç dhe Verica Ceraniç, ish-deputetit Ivan Todosijeviç, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Alleksandar Spiriç.

Cilat funksione të dyfishta kryejnë zyrtarët e Listës Serbe?

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në Agjencinë kundër Korrupsionit në Kosovë nuk ka raportuar se në kuadër të sistemit të Serbisë i kryen edhe dy funksione të tjera.

Ai është drejtor i Ndërmarrjes Publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut dhe asistent për mësimdhënie në Shkollën e lartë ekonomike të studimeve profesionale në Pejë, e cila funksionon në kuadër të sistemit serb dhe është zhvendosur në Leposaviç, komunë kjo e cila është e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe.

Ai për këto dy pozita paguhet me rreth 92 mijë dinarë ose rreth 750 euro, ndërsa nuk ka raportuar as agjencisë serbe për të ardhurat që merr në institucionet e Kosovës.

Edhe, Igor Simiç, është deputet i Kuvendit të Kosovës, por ka marrë të ardhura edhe për funksionet që kryen në sistemin serb, nga Sigurimi pensional dhe invalidor, si dhe nga Fakulteti Ekonomik në Mitrovicën e Veriut.

Po ashtu, Zoran Todiç është kryetar i Komunës së Leposaviçit sipas sistemit të Kosovës dhe kryetar i komunës së Leposaviçit sipas sistemit të Serbisë.

Millan Radojeviç, është kryetar i Mitrovicës së Veriut dhe merr pagë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, por është edhe drejtor i Fondit të sigurimit pensional dhe invalidor të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Ngjashëm është situata edhe me zyrtarë të tjerë të Listës Serbe, pasi shumica prej tyre kryejnë funksione në sistemin e Kosovës dhe në atë të Serbisë, por nuk i raportojnë as Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës e as Agjencisë Kundër Korrupsionit të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore