Shqipëria

Paga minimale shkon në 40 mijë lekë në prill


Do të jetë një rritje e menjëhershme prej 6 mijë lekësh ajo për pagën minimale në Shqipëri, e cila prej datës 1 prill 2023, do të bëhet 40 mijë lekë, nga 34 mijë që është aktualisht.

Kështu ka bërë me dije ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për shtyp të dhënë pas marrjes së vendimit të Qeverisë.

Siç bëri me dije ministrja, kjo pagë do t’i atribuohet si sektorit publik, edhe atij privat dhe reflekton një rritje prej 17% në krahasim me pagën që është aktualisht në treg.

Impakti kryesor pritet të jetë ai mbi punonjësit, të cilët marrin pagë minimale në vend dhe përbën të ardhurat kryesore të këtyre personave.

Mbi të gjitha, synimi i Qeverisë, siç bëri me dije Ibrahimaj, është ai që në tre vitet e ardhshme, paga minimale në Shqipëri të mos jetë më e ulëta në rajon, siç është sot.

Po ashtu, ka edhe një synim për ta bërë vendin më atraktiv tashmë për forcën e punës në bazë të cilësisë dhe jo më vetëm për krahun e lirë të punës, të cilën e shfrytëzojnë edhe sipërmarrësit e huaj.

Kostot ndaj biznesit ndërkaq, do të eliminohen nga Qeveria, e cila do të subvencionojë çdo kosto shtesë për kontributet e sigurimeve shoqërore të punonjësve.

Rritje të ndjeshme të pagave do të kenë edhe ushtarakët, ku është vendosur një rritje e menjëhershme nga 1 marsi, me 7%, për të gjithë ushtarët.

“Çdo vit do të kemi rritje pagash deri sa ushtarakët tanë të keni një pagë mesataren të vendeve aleate të NATO-s. 55 mijë lekë është pagesa fillestare dhe plot 10 mijë lekë të reja që është trajtimi ushqimor. Nëse e krahasojmë pagën e sotme me atë të vitit të kaluar sot është 40% më e lartë. Kjo është  një arsye më tepër që të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura”.

Kështu theksoi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke i bërë edhe thirrje të gjithë të rinjve të aplikojnë në aderimin në Forcat e Armatosura shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore