Kosova

“Padrejtësi” dhe “shkelje ligjore” nëse Qeveria s’kompenson qytetarët për milionat e shpenzuar për rrymën në Veri deri më 2012


Foto: Albanian Post.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që qytetarët e Kosovës të kompensohen për pagesat ekstra që i bënë për të mbuluar mospagesën nga serbët në Veri të Kosovës, por vendimi përfshinë kompensim për pagesat vetëm nga vitit 2012 duke lënë të paqartë se si dhe kur do të ndodhë kompensimi për vitet nga 1999 deri në vitin 2011.

Vendimi nga Kushtetuesja u mor pas ankesës nga Avokati i Popullit ku u konstatua se u bë shkelje e të drejtave të konsumatorit për qytetarët që kishin paguar padrejtësisht për energjinë elektrike të konsumuar në Veri.

Por, vendimi lë të paqartë se kush do t’i kompensojë qytetarët për vitet para 2012-së.

Nga opozita kërkojnë që këtë boshllëk të lënë nga Gjykata Kushtetuese ta plotësojë Qeveria e Kosovës me ndonjë vendim që i merr parasysh vitet para 2012-së, sepse përndryshe do të ishte “padrejtësi” e madhe ndaj qytetarëve.

“Është obligim ligjor, moral dhe kushtetues i saj, që qytetarët të kompensohen për atë pjesë që realisht nuk ka mundësi që të kompensohen për shkak të problemeve ligjore”, ka thënë Ferat Shala për Albanian Post.

Forma të cilën duhet ta zgjedhë pushteti është përmes një pakete që subvencionon qytetarët, propozoi ai.

“Qeveria në koordinim të plotë me institucionet, veçanërisht me rregullatorin, mund të marrë informacione të nevojshme dhe nga paketa të cilën e ka për subvencione mund t’i subvencionojë. Qeveria praktikat e tilla të subvencionimit në sektorin energjetike i ka kryer në të kaluarën me qindra milionë euro”.

Mitrovica e Veriut.

Ndërsa, këshilltari i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, njëherësh edhe juristi, Anton Nrecaj, në një përgjigje për Albanian Post tregon mënyrën se si qytetarët do të mund të kompensoheshin edhe për vitet e lëna jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Do të duhej një mënyrë më precize më e saktë që ta rregullojë këtë vendim të Gjykatës. Sepse, sigurisht që kjo e ka efektin e madh, pasi i bie që qytetarët për disa vjet të mos kompensohen fare”, tha ai, duke sqaruar se “vendimi i Gjykatës, s’thotë që ato të holla t’u kthehen qytetarëve, por që t’u zbritën në çdo muaj pagesat e faturave të rrymës. Në rast se faturën e ke 50 euro e njëjta të paguhet 25 euro”.

Nrecaj potencon se meqë ky vendim s’mund as të diskutohet, as të komentohet, por të zbatohet, i takon Qeverisë që të gjejë një zgjidhje për 13 vitet për të cilat s’janë kompensuar qytetarët.

“Qeveria duhet të gjejë modalitet për kompensimin nga viti 1999 deri në 2011, që është edhe në kompetenca të Ministrisë së Financave”.

Qeveria e Kosovës.

Plani i Zyrës së Rregullatorit për Energji është që këto mjete (nga 2012 deri 2017)  t’u kthehen brenda gjashtë vjetëve qytetarëve.

Pas 25 vitesh, rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, filluan ta paguanin energjinë elektrike për kompaninë shtetërore të Serbisë, sipas marrëveshjes së arritur në dialogun në Bruksel.

Arsyeja përse Kushtetuesja vendosi për vitet vetëm deri në 2017 ka të bëjë me një vendim të mëhershëm kur pagesat ekstra më nuk u shpërndaheshin qytetarëve në fatura, por i paguante direkt qeveria.

Ky ishte vendim i marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në këtë pjesë shkonte deri në 12 milionë euro në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore