Kosova

Padia për gjenocid ndaj Serbisë, Husiç: Kosova të mësojë nga gabimet e Bosnjë-Hercegovinës


Sabiha Husiç

Sabiha Husiç, drejtoreshë e organizatës “Medica Zenica”, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova-Press”, tha se Kosova duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë Bosnje-Hercegovina në përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Unë mendoj se Kosova mund të mësojë shumë nga gabimet e Bosnjë-Hercegovinës, se duhet t’i marrë gabimet nga Bosnjë-Hercegovina dhe t’i kthejë në praktikën e saj të mirë, mendoj se Kosova mund të arrijë shumë më tepër si shtet, si në nivel kombëtar dhe shtetëror e edhe në nivel ndërkombëtar”.

“Pra, një qasje serioze ndaj krimeve të luftës, një qasje serioze ndaj autorëve dhe një qasje objektive pa lojëra politike, sepse të mos harrojmë se më së shumti ka pësuar populli në Kosovë. Për fat të keq, Bosnjë-Hercegovina nuk ka kaluar mirë me gjithë këtë, gjenocidi u njoh vetëm në Srebrenicë”, shtoi Husiç.

Husiç, e cila drejton organizatën e specializuar të grave që funksionon në Bosnjë-Hercegovinë për gati tre dekada, pohoi se nuk mjaftojnë katër prokurorë për t’u marrë me rastet e krimeve të luftës – sa aktualisht i numëron Kosova -por as as pesë e as shtatë prokurorë.

“Duke u bazuar në përvojën time që kam punuar për 30 vjet, vërtet nuk mjafton, këto kapacitete nuk janë të mjaftueshme sepse bëhet fjalë për krime të tilla delikate, veprat kriminale ku me të vërtetë kërkohet shumë kohë, derisa e dimë që bëhet fjalë për mijëra gra që i mbijetuan përdhunimit dhe dhunës seksuale”.

“Derisa ne e dimë se në shumë pjesë të Bosnjës-Hercegovinës është bërë gjenocid, ndaj le t’i marrë Kosova këto gabime tona dhe t’i kthejë në praktikën e saj pozitive, që gabimet e Bosnjës dhe Hercegovinës të mos përsëriten më vonë”, u shpreh Husiç.

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99 para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, ka paralajmëruar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore