Kosova

Pacolli për situatën në Trepçë: “Fotografitë e fundit kanë ngjashmëri me ato të kohës së Millosheviç-it”


Behgjet Pacolli

Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se i vjen keq që i sheh minatorët e Trepçës në këtë gjendje të vështirë.

Këto komente, Pacolli i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas gjendjes së krijuar në ndërmarrjen publike, fillimisht me lënien pa paga të minatorëve, akuzat që Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ia bënë disa minatorëve për vjedhje, largimi i disa prej tyre prej pune dhe së fundmi shpallja e gjendjes emergjente.

“Fotografitë e fundit që kanë ngjashmëri me ato të kohës së [Sllobodan] Millosheviç-it shkaktojnë turp!”, shkroi fillimisht Pacolli.

“Mos ekzekutimi i pagave, shpallja e gjendjes emergjente, kërcënimet dhe fajësimi i punëtoreve për gjendjen e rëndë në miniera, si dhe masa e përjashtimeve nga puna për shkaqe që nuk lidhen me minatorët, por janë rezultat i politikave të gabuara të qeverisë dhe menaxhmentit të saj, tregojnë paaftësinë në drejtimin e ndërmarrjeve sipas rregullave ekonomike”, shtoi.

Trajtimi i dinjitetshëm i punëtorëve, sipas tij, “është një çështje themelore kurse përjashtimet nga puna janë të papranueshme”.

“Veprimet e menaxhmentit të përzgjedhur nga qeveria janë në kundërshtim me normat esenciale njerëzore dhe të drejtat e punëtorëve!”.

Në fund, ai rikujtoi se premtimet e kësaj qeverie për Trepçën ishin ndryshe.

Ndryshe, pas largimit të 14 minatorëve nga puna, kompleksi metalurgjik “Trepça”, të mërkurën, ka larguar nga puna përkohësisht edhe një minator.

“Ka shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka” – Kurti ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore