Lajme

Pacientët – sërish në mungesë të shërbimeve mjekësore


Ilustrim.

Të enjten në të gjitha njësitë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk është ofruar shërbim tjetër shëndetësor, pasi profesionistët shëndetësorë janë në grevë tetë orësh.

Përmes kësaj greve që nisi në orën 07:00 mjekët po kërkojnë që të procedohet Ligji i Pagave.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla bëri të ditur se të gjithë profesionistët shëndetësorë i janë përgjigjur grevës.

“Ne kemi kërkuar si e kemi pasur edhe premtimin që Ligji i Pagave të vijë deri në fund të vitit në parlament, të parashihet në buxhetin 2022, me qëllim që të startohet. Po ashtu, kemi kërkuar që pjesë e draftimit të këtij ligji të jemi edhe ne përfaqësuesit e sindikatave”, ka thënë Syla për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Ai shtoi se të hënën do të mblidhet Këshilli drejtues i kësaj Federate për të vendosur për masat që do të ndërmarrin për mos reflektim të Qeverisë karshi kërkesave të tyre.

Një protestë e punëtorëve të shëndetësisë në Prishtinë

“Të hënën merret vendimi përfundimtar, sepse të hënën mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe do të shohim se çfarë masa të mëtutjeshme duke shpresuar gjithmonë që të reflektojë Qeveria”.

Syla, kërkoi nga Qeveria që të reflektojë sa më parë pasi që kjo do t’i dëmtojë pacientët dhe do të ndikojë në ikjen e mjekëve nga Kosova.

“Kemi pasur premtime nga Kurti se që me ardhjen në pushtet do ta marrin seriozisht dhe do të rriten edhe koeficientet dhe kemi shpresuar shumë, por me ardhjen në pushtet kanë ndryshuar gjëra dhe neve që nga këto muaj nuk kemi pasur pothuajse fare përgjigje, takime hiq se hiq”.

“Ju lutem, mos na ndani nga pacientë më së paku ne shëndetësia duam grevën lehtë e kanë të tjerët me bë greva ne e kemi më vështirë, duhet t’i lëmë pacientë, andaj kërkoj që të reflektojë sa më parë që të dalë në publik që mund apo nuk mund të bëhet në mënyrë që ne ta rishikojnë pozicionin tonë”.

Shkaku i grevës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sevdije Ajeti kishte kërkuar që të furnizohet me insulina, por ajo nuk i mori ato pasi që askush nuk punonte.

“Për insulina kam ardhur… Këtë muaj nuk i kam marrë, domethënë prej 1 që i marrim deri më 6-7, sa është nuk kemi marr tash qenka mbyll”, u shpreh ajo.

Edhe Blerim Pacolli kishte ardhur për të marrë dozat e insulinave për nënën e tij, por ai këtë shërbim nuk e mori pasi mjekët ishin në grevë, duke e konsideruar si të paarsyeshëm vendimin e mjekëve për të mbajtur grevë.

Protesta e Federatë së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

“E paarsyeshme normal se ka ndoshta dy javë ose më tepër që po na shtyjnë nuk ka nuk ka ardhur ende tash kur erdhëm janë në grevë prapë që tri herë po vijë…As insulina nuk ka pasur tash e tri javë”, tha ai.

Sindikata ka thënë se nga greva përjashtohen punëtorët e punësuar në shërbime emergjente mjekësore dhe spitalore.

“Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor, respektivisht miratimi në Parlament i Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe fillimi i implementimit të tij nga viti 2022”.

Më 25 nëntor, turni i parë i punës, i gjeti punëtorët e shëndetësisë në grevë urie.

Përmes një komunikate për medie sindikatat kanë kërkuar që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me Sindikatat dhe faktorë të tjerë. Ata kanë kërkuar që ky projektligj të adresohet sa më shpejt n parlament dhe i njëjti të fillojë së implementuari nga viti 2022.

“FSSHK-së paralajmëron se Grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë”, thuhej në komunikatë.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas fillimit të grevës nga stafi shëndetësor.

“Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë”, thuhet në reagimin e PRAK.

Ndërkaq, më tetë nëntor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kishte protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilët kishin kërkuar rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik dhe implementimin e tij, nga janari i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore