Shqipëria

Pabarazia e pasurisë, Shqipëria radhitet në mesataren evropiane


Zotërojnë më shumë 10% e më të pasurve, apo 90% e pjesës tjetër?

Pyetja nuk ka më dilema, pasi të parët janë në epërsi të dukshme sipas raportit të fundit global të pasurisë, ndërmarrë nga UBS për vitin 2023, ku reflektohet se 10% e më të pasurve të kontinentit, zotërojnë 67% të pasurisë totale.

Shqetësimi më i madh megjithatë, mbetet fakti se 50% e më të varfërve, zotërojnë vetëm 1.2% të pasurisë totale në kontinentin e vjetër.

Raporti pasuror gjithnjë ka ngjallur kureshtje, ku vendet e rritura nën ndikimin kapitalist kanë nxitur kahera luftën për ekonominë e hapur dhe tregun e lirë.

Kjo ka çuar edhe në një ndarje indirekte kastash, me njerëzit që janë në majën piramidale të fitimeve, zotërues të pjesës më të madhe të pasurisë në glob.

Teksa në shtete si Suedia apo Letonia, më të pasurit zotërojnë mbi 80% të pasurive, po në Shqipëri çfarë ndodh?

Matësi për këtë njihet si koeficienti Gini. Me parametrin 0, përfaqësohet ajo që do të ishte barazia totale, pra shpërndarje pasurore e njëjtë për çdo individ.

Teksa, sa më i madh koeficienti, aq më e pabarabartë një shoqëri, ku pjesë më e vogël e më të pasurve zotëron pjesën më të madhe të pasurive dhe pjesa më e madhe e më pak të pasurve zotëron pjesën më të vogël të pasurive.

Shqipëria radhitet në një mesatare të qëndrueshme evropiane, me një koeficient Gini prej 68.6%.

Kjo e vendos poshtë fuqive të mëdha evropiane si Franca dhe Gjermania, por gjithashtu edhe poshtë vendeve të rajonit si Serbia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, apo më gjerë edhe Rumania.

Nga ana tjetër, me shpërndarje më të barabartë të pasurisë renditen Greqia, Mali i Zi, por edhe vende të mëdha si Spanja, apo Italia.

Vendi me shpërndarje më të barabartë ndërkaq, është Sllovakia, me një koeficient vetëm 50.8, ku më pas ndjek Belgjika me 59.6 dhe Malta me 60.9.

Sa i takon vendeve me shpërndarjen më të pabarabartë të pasurisë, kryeson Suedia me koeficient 87.4%, Letonia me 80.4 dhe Turqia me 80.2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore