Lajme

“Pa ushtri cilësore asnjë projekt s’është i sigurt”, Kurti fton qytetarët të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë


Albin Kurti

Fondi i Sigurisë sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të ndikojë në fuqizimin e nivelit të sigurisë së vendit, prandaj ka kërkuar nga qytetarët e vendit dhe të diasporës të kontribuojnë në këtë drejtim.

Për Kurtin shekulli 21, është shekulli i shtet-ndërtimit dhe se dialektika e historisë së Kosovës ka kaluar nga rezistenca te liri dhe tani nga liria duhet të kaloi në siguri.

“Pa ushtri cilësore dhe pa popull aktiv, asnjë projekt nuk është i sigurt”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

Buxheti prej 100 milionë euro i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes sipas Kryeqeveritarit ka qenë më i madhi ndonjëherë, por që ai nuk është i mjaftueshëm.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës sonë, së bashku me bashkatdhetarët tanë në diasporë, që të ndajnë thirrjen dhe të kontribuojnë në ngritjen e sigurisë shtetërore”, ka shtuar ai.

Armend Mehaj

“Është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet. Është e vështirë ta bëjmë këtë vetëm me buxhetin që e kemi”.

Kështu ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hapur Fondin e Sigurisë, ku qytetarët mund të deponojnë të holla për të kontribuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë. Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Sipas Mehaj, Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.

“Ushtria jonë buron nga populli.  Ajo i shërben vetëm popullit dhe paqes! Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore