Kosova

Pa përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, “s’ka ulje të çmimeve të derivateve në Kosovë”


Ilustri.

Trendi i rritjes së derivateve në Kosovës po vazhdon – ndërsa Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, ka bërë të ditur për Albanian Post se çmimet e naftës në Kosovës sillen rreth 1.75 cent, ndërsa çmimet e benzinës nga arrijnë deri në 1.77 cent.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, bëri të ditur se kur mund të arrihet me stabilizimin e tregut në këtë sektor.

“Besoj se qytetarët tonë janë duke e kuptuar se rritjen e çmimeve e dikton berza, ndërsa stabilizim të tregut do të kemi pasi të përfundon lufta mes Ukrainës dhe Rusisë”.

Ai është shprehur se akoma nuk është e ditur se deri sa mund të shkoj rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës.

“Sa i përket rritjes së çmimeve se a do të ketë rritje dhe sa do të mbërrin çmimi s’mundemi të paragjykojmë se ka lëvizje të mëdha në berzen ndërkombëtare”, tha Berjani AP.

Berjani shton se “çmimet janë të larta për gjendjen ekonomike të cilën e kanë qytetarët”.

Ilustrim.

Ndërsa, thotë se me problemin e ngjashëm po përballet edhe vetë ai.

“Qytetarët mund ta përdorin transportin publik, unë kam pika të karburantit vetë, ne jemi në gjendje emergjente, lufta ka kapluar Ukrainën, ky është problem në të gjithë botën”.

Në anën tjetër, për njohësin e politikave ekonomike, Erton Bega, paralajmërimi për shtrenjtimin e mëtutjeshëm të çmimit të naftë është tronditës marrë parasysh inflacionin e lartë që ka përcjellë ekonominë kosovare.

Sipas tij paralajmërimi për shtrenjtimin e çmimit të naftës do të sjellë pasoja zingjirore në ekonomi pasi do të ndikon në rritjen e kostos së transportit të mallrave.

“Situata socio-ekonomike do të rëndohej edhe më shumë, pasi të ardhurat e qytetarëve kanë mbetur të pandryshueshme. Rritja e kostos do të rezultonte me inflacion në produkte esenciale të konsumit të gjerë dhe kjo do të ishte e papërballueshme për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta”, kishte thënë Bega për AP.

Ndryshe gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Tarifat e reja do të aplikohen nga 9 shkurti, deri më 31 mars të vitit 2023.

Ky vendim i ZRRE-së është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare në Kuvend dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë deklaruar se kostoja e faturës për energji elektrike do të jetë e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe karburantet i importon nga vende të tjera.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 410 milionë litra naftë. Në këtë shifër nuk janë përfshirë derivatet e benzinës.

Në periudhën nga 24 shkurti deri më 8 mars, në Kosovë janë importuar rreth 31 milionë litra karburante, më së shumti nga Arabia Saudite, e pastaj nga Maqedonia e Veriut, Greqia, Turqia e vende tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore