Lajme

Pa e përmendur fare rastin e Berishajt, Krasniqit e Hajdarit, Kurti thotë se po luftohet korrupsioni


Albin Kurti

Pa e përmendur fare rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit u lakua në një rast për shpëlarje parash në Slloveni, rastin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për korrupsion në cilësinë e drejtorit të KEK-ut dhe rastin për keqpërdorim të Rezervave Shtetërore që implikojnë Ministrinë e Industrisë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi 5 minutësh ka folur për punën e ekzekutivit në raport me luftimin e korrupsionit në Kosovë.

“2 vite e 9 muaj më parë, kemi filluar rrugëtimin e përbashkët drejt qeverisjes së mirë, luftimit të korrupsionit dhe vendosjes së rendit dhe ligjit”, ka thënë ai fillimisht.

Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Kurtit, ka rilindur shpresa për një të ardhme më të mirë dhe është luftuar korrupsioni, fenomen ky i cili për Kurtin ka përcjellë “shoqërinë tonë për vite me radhë, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin”.

“Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”, ka thënë ai.

Oligarkët, sipas Kurtit, e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike, mirëpo një gjë e tillë, beson Kurti, me ardhjen në qeverisje të LVV-së, është përmbysur.

“Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare”.

Sipas tij me për 2 vjet e gjysmë qeverisje kanë marrë fund si gjakderdhjet financiare, si skamja e shërbimeve institucionale e keqmenaxhimi i parasë publike dhe krimi brenda organeve shtetërore të qeverisë.

“Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë”.

Pa cituar fare raportin e progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2023 ku bëhej e ditur se Kosova shënoi progres të kufizuar në luftën kundër korrupsionit, Kurti ka thënë se Kosova është ngritur 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International.

“Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1 mijë e 100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4 mijë persona janë arrestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”.

Ai ka folur edhe për nisjen e procesit të Vettingut, i cili sipas tij, dëshmon se ekzekutivi po dëshiron dënim meritor për zyrtarët shtetërorë.

“Duam gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri. Këtë do bëjmë me veting në sistemin gjyqësor, të mbështetur nga ligjet që kemi dërguar në Kuvend. Vetëm në një vit qeverisës kemi miratuar mbi 80 ligje, afat i paarritur ndonjëherë nga ndonjë qeveri paraprake”.

Kreu i ekzekutivit ka fajësuar edhe partitë opozitare për dërgimin e ligjeve për rishikim në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar opozitën si ato të cilët po dëshirojnë të ndalojnë reformat e Qeverisë në sistemin gjyqësor.

“Partitë opozitare kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese secilin ligj që imponon reformë të pashmangshme në sistem, thua se nuk ekziston fare Komisioni Parlamentar për Legjislacion. Me punë të madhe e procese gjithëpërfshirëse kemi hartuar Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky Ligj do prek secilin që ka përfituar në kurriz tuajin e që ka pasuruar xhepat në dëm të Republikës. Ky Ligj do bëhet dhe do zbatohet ashtu si është menduar dhe punuar. Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet”.

Kurti ka bërë të ditur ndër të tjera se Qeveria në muajt në vijim do të prezantojë edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit, e cila sipas tij, është vizioni i Qeverisë për vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore