Kosova

OVL-ja paralajmëron protesta kundër Qeverisë


Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL).

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL), ka paralajmëruar protesta kundër Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i jepi të drejt ekzekutivit për ligjin e pagës minimale – ndonëse ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, i njëjti nuk i përfshin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Ndërkaq, ka theksuar se për format dhe kohën e protestave do të mbajnë takim për të vendosur.

Gjykata Kushtetuese, i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për paga minimale, që ishte dërguar nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim, më 26 qershor.

Nga Kushtetuesja kanë vlerësuar se ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.

“Gjykata ka vendos njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Më 18 korrik të 2023-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK), kishte thënë se ligjin për pagën minimale do ta analizojnë me kujdes të shtuar.

Me 60 vota për e një abstenim, në muajin korrik Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligji për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.

Prandaj, të njëjtit kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke thënë se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore