Kosova

Osmani uron Ukrainën në Ditën e Pavarësisë: Në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i tyre mbetet i pathyer


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës duke thënë se shpirti i tyre mbetet i pathyer pavarësisht situatës që gjenden aktualisht.

Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’ në 32-vjetorin e Pavarësisë situatën aktuale e ka përshkruar “në mes të hijeve të një lufte gjenocidale”.

“Zemra e një kombi rreh brenda popullit të tij dhe në mes të hijeve të një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pathyer. Nga një tokë e forcës, demokracisë dhe shpresës në tjetrën, i urojmë popullit të guximshëm të Ukrainës Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

Po ashtu edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar se kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës i jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’i përcjellë ukrainasve urimet më të mira e të përzemërta.

“Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë”.

Presidenti shprehet se këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.

Më 23 gusht, katër persona u vranë në një valë sulmesh ruse në rajonet verilindore dhe jugore të Ukrainës që dëmtuan gjithashtu objektet e eksportit të drithërave.

Katër mësues u vranë në Romny, një qytet në rajonin verilindor Sumy në kufi me Rusinë, në një sulm me raketa që shkatërroi një shkollë.

Sulmet nga agresioni rus në Ukrainë nisën në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore