Kosova

Osmani uron Starmer-in për fitoren në zgjedhjet në MB


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Keir Starmer, liderin e Partisë Laburiste, për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, të enjten e 6 korrikut.

Këtë, Osmani e bëri përmes një postimi në platformën X, të premten.

“Urime të përzemërta, Keir Starmer, për fitoren tuaj historike në zgjedhje! Mbretëria e Bashkuar ka një vend të veçantë në zemrat e të gjithë kosovarëve dhe jam i bindur se së bashku, ne do të punojmë ngushtë për të forcuar aleancën tonë të gjatë”, shkroi Osmani.

Në fund, e para e vendit i uroi suksese Starmer-it kur do ta merr pozitën e kryeministrit.

Ndryshe, Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe.

Me këtë fitore, laburistët i kanë dhënë fund qeverisjes 14 vjeçare nga Partia Konservatore.

Partia e qendrës së majtë ka fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh.

Nga ana tjetër, konservatorët që drejtoheshin nga Rishi Sunak, e kanë pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.

Mëngjesin e së premtes, Keir Starmer u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani si kryeministri i ardhshëm i vendit.

Sunak e pranoi humbjen më herët dhe tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore