Kosova

Osmani uron Sekretarin e ri të Këshillit të Evropës: Anëtarësimi i Kosovës, synim që do ta ndjekim pa pushim


Vjosa Osmani dhe Alain Berset

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi ish-presidentin e Zvicrës, Alain Berset, i cili të martën u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KiE) për një mandat pesë vjeçar. Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, theksoi se Kosova është e përkushtuar të anëtarësohet në organizatën lidere evropiane për të drejtat e njeriut.

“Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në KiE – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm. Kosova në KiE është një synim që do të vazhdojmë ta ndjekim pa pushim. Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë realitet!”.

Autoritetet e Kosovës aplikuan për anëtarësim në KiE në vitin 2022. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik mbetet në vendndalim për shkak të zhvillimeve politike. Kërkesa e Kosovës nuk u mor parasysh muajin e kaluar, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, kushtëzuan Kosovën të bëjë hapa konkretë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të KiE-së për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit të plotë në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e Kosovës devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore