Lajme

Osmani uron liberalizimin e vizave: Liri e mohuar shumë gjatë e padrejtësisht


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e heqjes së vizave, më 1 janar të 2024-ës.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ky ka filluar mbarë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Një vit që fillon mbarë! Një vit që fillon me liri të lëvizjes, liri që na u mohua shumë gjatë e padrejtësisht”, ka shkruar ajo.

Duke u shprehur se Kosova s’është dorëzuar asnjëherë për të marrë vendin e merituar në Bashkimin Evropian.

“Por si gjithnjë, me përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane”.

“Gëzuar Kosovë liberalizimi i vizave!”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.

Kurti, në fjalimin e tij ka deklaruar se mbrëmë pas orës 00:00, ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave duke thënë se “është hequr një padrejtësi që i është bërë Kosovës”.

“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”.

Ndërsa ka potencuar se numri i qytetarëve në kuadër të fushatës informuese që do të udhëtoj për në Vjenë është 50.

Nga 1 janari i 2024-ës, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore