Kosova

Osmani uron homologun nga Lituania për rizgjedhjen e tij si president


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj nga Lituania, Gitanas Nauseda, për riemërimin e tij në këtë pozitë.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ ka thënë se pret që të rritet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Lituanisë.

“Mezi presim të vazhdojmë partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë dhe të punojmë së bashku për të avancuar rrugën euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Osmani, më 12 maj të 2022-së ishte pritur nga presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, me të cilin kishte diskutuar për hapja e kapitujve të ri të partneritetit në mes të dy vendeve.

“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë”, kishte thënë Osmani.

Ndër të tjera, të dy presidentët kishin diskutuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit tregtar.

Osmani e kishte informuar homologun e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke kërkuar përkrahjen e Lituanisë për këtë proces si dhe për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore