Kosova

Osmani udhëton në Britani, përfaqëson Kosovën në Samitin e Komunitetit Politik Evropian


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar, për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

“Në emër të Republikës së Kosovës, do të takohem me liderë nga i gjithë kontinenti për të diskutuar zgjidhjet e çështjeve urgjente që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.

Gjatë këtij samiti, Osmani pritet të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për forcimin e aleancave dhe përafrimin e saj me institucionet euroatlantike.

Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të Samitit, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

Ndryshe Osmani përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Joe Biden, ku m ç’rast në përfundim të samitit, ka pasur rastin ta takoi Biden, “të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës”.

Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.

“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore