Kosova

Osmani takon Ramën: Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë në NATO


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në margjina të Samitit të NATO-s që po mbahet në Washington dhe kanë biseduar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Me Kryeministrin Edi Rama,. për t’i koordinuar qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta në mënyrë që edhe Kosova, sa më parë, t’i bashkohet Shqipërisë dhe shteteve tjera aleate si anëtare me të drejta të plota në NATO, aty ku edhe e ka vendin”, shkroi Osmani në Facebook.

Ndryshe, Osmani me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, po merr pjesë në aktivitetet që mbahen në kuadër të Samitit të NATO-s e që i dedikohen agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja kosovare një ditë më parë u takua edhe me Blinken-in të cilin e ka falënderuar për pritjen dhe diskutimin në Departamentin e Shtetit në Washington.

“Aleanca me SHBA-të, sipas saj, nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike. Por, edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, tha Osmani të martën.

Në anën tjetër, Blinken e ka vlerësuar rolin e Osmanit për hapjen e qendrës rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kosovë, gjatë fjalimit në aktivitetin për gratë, paqen dhe sigurinë, të martën, në SHBA si pjesë e samitit për 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore