Kosova

Osmani takon Presidenten e Maltës, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës


Vjosa Osmani dhe Myriam Spiteri Debono

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të shtunën me homologen e saj nga Malta, Myriam Spiteri Debono, të cilës i ka shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Malta ia jep Kosovës.

Ky takim është zhvilluar në margjinat e Samitin të Paqes për Ukrainën që po mbahet në Zvicër, për të cilin ka njoftuar Osmani përmes një postimi në Facebook.

“Malta është një vend vërtet mik, andaj i shpreha mirënjohjen e thellë Presidentes Spiteri Debono për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i saj i ka dhënë Republikës tonë”, shkroi e para vendit.

Osmani, e cila po përfaqëson vendin në Samitin e Paqes për Ukrainën, gjatë ditës, përmes një video-adresimi në Facebook, ka thënë se në këtë iniciativë do të tregojë tregimin se si Kosova është ndërtuar nga zeroja.

“Si një shtet që ka vuajtur shumë, si një shtet që ka sakrifikuar shumë, megjithatë jemi shndërruar në një model të demokracisë”, ka thënë ajo.

Osmani, ndërsa ka potencuar se ky samit ka një rëndësi të jashtëzakonshëm, ka vlerësuar se në këtë iniciativë nuk mjafton që thjesht paqja “të shihet si një koncept i izoluar”.

“Paqja në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë ne i bashkohemi thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, pra paqes së ndërlidhur me drejtësinë për viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Zvicër në kuadër të margjinave të Samitit të Paqes për Ukrainën, ka njoftuar se të shtunën ka takuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me të cilën ka biseduar për koordinimin në mbrojtjen e paqes.

“Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”, ka njoftuar presidentja.

Ndërsa, të premten, presidentja është takuar edhe me nikoqiren e këtij Samiti, presidenten e Zvicrës, Viola Amherd.

“Në prag të Samitit, ishte kënaqësi të diskutojmë për mundësitë e pafundta të thellimit të bashkëpunimit, me ç’rast roli i mërgatës sonë në forcimin e partneritetit në mes të dy vendeve tona është i pazëvendësueshëm”, shkroi Osmani pas takimit.

Osmani falënderoi Amherd për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Kosova është përherë mirënjohëse për mbështetjen e fortë të Zvicrës përgjatë çdo etape”.

Në këtë samit liderët botëror do të diskutojnë për rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.

Osmani gjatë samitit pritet ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore