Lajme

Osmani takon përfaqësuesin e Papa Françeskut për Kosovën, flasin për thellimin e bashkëpunimit për paqe


Vjosa Osmani dhe Jean Marie Speich

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, takoi të enjten Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Jean Marie Speich, me të cilin bisedoi për thellimin e raporteve mes të dyja vendeve, posaçërisht pas themelimit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan në fillim të këtij viti – rreth pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Në komunikatën për shtyp të Presidencës së Kosovës bëhet e ditur se presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit dhe institucioneve kosovare për kujdesin që Selia e Shenjtë dhe Papa Françesku, kanë treguar në vazhdimësi ndaj Kosovës. Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar që ta thellojë bashkëpunimin tradicional me Selinë e Shenjtë.

“Themelimi i misionit është rezultat i angazhimit tonë të përbashkët për afrimin e vendeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët për paqe”, deklaroi presidentja Osmani, ndërsa në mënyrë të veçantë e falënderoi nuncin Speich mbi angazhimin e tij për përparimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.

Ndërkaq, në bazë të komunikatës, nunci Speich e falënderoi presidenten Osmani për pritjen dhe u shpreh i lumtur që raportet e Selisë së Shenjtë me Kosovën janë thelluar ndjeshëm. Ai theksoi ndër të tjera se themelimi i Misionit të Kosovës të Posaçëm të Kosovës në Vatikan është hap i rëndësishëm drejt forcimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ky vend ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndonëse shteti kosovar ka përfaqësuesin e vet dhe kërkesa për njohje ekziston prej kohësh në Vatikan. Megjithatë, në Selinë e Shenjtë nuk kanë munguar as takimet e herëpasherëshme të Papa Françeskut apo të Sekretarëve të Shtetit me zyrtarë të lartë kosovar, përfshirë kryeminstra, ministra e presidentë të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore