Kosova

Osmani takohet me Tajan-in: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është BE-ja


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin e jashtëm të Italisë, Antonio Tajani në Romë me të cilin ka biseduar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’ nga ministi Tajani.

“Ia konfirmova presidentes Vjosa Osmani angazhimin e qeverisë në Ballkan. Ne jemi edhe në vijën e frontit në Kosovë për siguri dhe stabilitet me misionin e KFOR-it”.

“Ne duam të forcojmë praninë tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është BE-ja”, ka shkruar ai në Twitter.

Më 11 prill, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte udhëtuar për në Itali ku ishte pritur me këngë shqipe.

Osmani pritet të takohet edhe me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.

Gjithashtu, do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

Përmes këtyre takimeve presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor.

Mbledhja e traditës gojore arbëreshe dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së presidentes Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore