Lajme

Osmani shpreson që shtetet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik ta njohin Kosovën


Vjosa Osmani dhe Hissein Brahim Taha

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha, në kuadër të javës së lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkura që po mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Gjatë takimit, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, shefja e shteti kosovar ka shprehur vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ut, veçanërisht për rezolutën vjetore e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate e përbërë nga 57 shtete, ku 48 janë vende me shumicë myslimane.

“Në këtë frymë, presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së”.

Presidenjta Osmani gjatë takimit ka shtruar edhe nevojën e eksplorimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes Kosovës dhe anëtarëve të OIC-ut, derisa i ka bërë ftesë Sekretarit të Përgjithshëm që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t’i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore