Lajme

Osmani: S’do ngutesha të bëj vlerësime për përputhshmërinë e draft-statutit me Kushtetutën, kjo i takon Gjykatës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka thënë se si Presidente e Kosovës, do ta dërgoj qëndrimin e saj në Gjykatën Kushtetuese sa i përket draft statutit të të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, porse aktualisht është jo serioze të thuhet nëse drafti i prezantuar është brenda kornizës kushtetuese, ose jo.

“E kam lexuar dhe analizuar me vëmendje të thellë gjerë e gjatë”, tha Osmani fillimisht.

“Por, nuk do të ngutesha të bëj vlerësime për përputhshmërinë (me Kushtetutën) përderisa kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është serioze që tani të shpallet në harmoni apo jo, sepse kjo i takon ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese”, pohoi presidentja.

“Pra, nëse kemi proces të nënshkrimit, pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese si Presidente e Kosovës, do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen në mënyrë që zbatimi të jetë në plotëni të plotë me Kushtetutën tonë”.

“Ju siguroj që si presidente e Kosovës, do ta dërgoj qëndrimin tim me shkrim nëse dërgohet statuti në Gjykatë, por është një proces paraprak”.

Në anën tjetër, pas takimit me presidentet e KE-së, tha të ketë kërkuar që masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen.

“Në takim potencova edhe rëndësinë e largimit të masave sanksionuese ndaj Kosovës. Institucionet tona gjatë muajve të kaluara kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim me aleatët dhe partnerët tanë”.

 

“Kosova tregoi gatishmëri për zgjedhjet e reja në Veri”

Ajo tutje ka thënë se nga Kosova është treguar gatishmëri për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri.

“Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për të garantuar zgjedhje të reja e të lira, por për fat të keqë adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd”.

Ndërsa, ka bërë thirrje që grupi terrorist i 24 shtatorit për sulmin në Banjë të përballet me drejtësinë në Kosovë.

“Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitar të ambicieve destibalizuese të cilat vinë nga Serbia, e të cilat rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, që u krye nga grupe terroriste nga Serbia”.

“Ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet, për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat e BE-së”, deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

“Liberalizimi i vizave, ndërton ura të qëndrueshme mes Kosovës dhe BE-së”

Ajo po ashtu është shprehur mirënjohëse ndaj saj për liberalizimin e vizave ndaj Kosovës.

Osmani, pas takimit ka deklaruar se përmes liberalizimit të vizave janë ndërtuar “ura të qëndrueshme”, mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Në takim shpreha mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian, si mekanizma që i dhanë epilog përfundimtar liberalizimit të vizave, kështu duke filluar nga janari qytetarët do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza”.

“Duke kontribuar kështu në ndërtimin e urave të qëndrueshme mes Kosovës dhe BE-së”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e shtetit, ka theksuar se presin që në dhjetor statusi i Kosovës, të ecë përpara.

“Vitin e kaluar Bashkimi Evropian mori vendime të rëndësishme. Prandaj, është e rëndësishme që në mbledhjen e dhjetorit të këshillit të BE-së, të avancohet edhe statusi i vendit kandidat për Republikën e Kosovës, gjithmonë në një proces të bazuar në merita”.

Osmani, ka potencuar se temë e diskutimit ka qenë edhe zgjerimi i Ballkanit Perëndimor.

“Takimi i sotëm u takua në planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor të cilin e prezantoi presidentja Von der Leyan, krahas kësaj kisha mundësinë ta informoja atë për zhvillimet e fundit në vend si dhe për angazhimin çdo ditor të institucioneve tona për ta intriguar Kosovën në Bashkimin Evropian”.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova ka bërë progres të qëndrueshëm sa i përket reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), gjë për të cilën ka përgëzuar autoritetet kosovare.

Ajo në fillim të adresimit të saj ka dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, derisa ka bërë thirrje që kryesit e aktit të vihen para drejtësisë. Shefja e KE-së ka bërë thirrje edhe për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Von der Leyen ka theksuar se Kosova duhet të nis së zbatuari marrëveshjen për themelimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse Serbia duhet të japë njohjen de facto për shtetësinë e Kosovës, në përputhje me deklaratën e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, pas takimeve me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Von der Leyen: Kosova ta themelojë Asociacionin – Serbia ta japë njohjen de facto

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore