Lajme

Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt.

Sipas njoftimit të presidentes, Osmani e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.

Ndërkaq, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore.

Sipas njoftimit, po ashtu në këtë takim, u konfirmuar gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Presidentja e njoftoi Ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë”.

Ambasadoren Bitt e ka pritur në takim edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ai e ka uruar Ambasadoren Blitt për misionin dhe përgjegjësinë e re, duke i shprehur mirëseardhje në vendin tonë.

Zëvendësministri Ahmeti dhe Ambasadorja Blitt kanë diskutuar edhe mbi përgatitjet që po bëhen nga të dyja ministritë respektive mbi konsultimet e ardhshme politike dhe që pritet të mbahen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm në Kanada.

Ahmeti e njoftoi Ambasadoren dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës dhe theksoi nevojën për masat që duhet t’i ndërmerr komuniteti ndërkombëtar ndaj Serbisë, në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten përpjekjet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore